Foto: Ilustrim

Malishevë, një i vdekur e një i lënduar rëndë në aksidentin me traktor

Një 17-vjeçar nga fshati Bellanicë ka mbetur i vdekur në aksidentin me traktor në fshatin Ngucat të Malishevës, e një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha për KALLXO.com se dyshohet që ngasësi ka humbur kontrollin mbi traktorin dhe është vetaksidentuar.

“Rreth orës 14:00 është raportuar aksident trafiku në fshatin Ngucat të Malishevës. Policia iu ka përgjigjur rastit, ku ngasësi i një traktori dyshohet të ketë humbur kontrollin mbi të dhe është vetaksidentuar. Për pasojë një person i gjinisë mashkullore i lindur më 2006 ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër (po ashtu mashkull, i mitur) është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore” – tha Elezaj.

Sipas tij, rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

(Shënim: Ky lajm është edituar në pjesën ku flitet për moshën e viktimës)