FOTO: LVV facebook

LVV: Njoftimi i prokurorisë për rastin Dehari, taktikë dhe strategji e padrejtësisë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka reaguar pas publikimit të Prokurorisë Speciale për raportin e ekspertizës nga instituti zviceran për rastin Astrit Deharit.

Sipas LVV-së, komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë.

“Këtë gjë ka bërë Prokuroria e Kosovës, pa u brengosur aspak për aspektin njerëzor të familjarëve e shokëve të Astrit Deharit, por mbi të gjitha, pa u shqetësuar fare për drejtësinë dhe ligjin në Republikën e Kosovës, gjë e cila do të duhej të ishte mision kryesor i atij institucioni”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Nga kjo parti kanë thënë se publikimi i informacioneve selektive po bëhet për ta shpallur si vetvrasje vdekjen e ish-aktivistit të tyre.

“Instrumentalizimi politik i institucioneve të drejtësisë lehtë përfundon në instrumentalizim kriminal të atyre institucioneve. Këtë na i tregon të gjithëve rasti i Astrit Deharit. Por ndryshimi i madh që ka ndodhur në Kosovë kërkon t’i jepet fund drejtësisë që fsheh krimet dhe dënon të pafajshmit. Ai ndryshim nuk kthehet pas, institucionet do të çkapen, drejtësia do të pavarësohet”, thuhet në reagim.

Sipas LVV-së për rastin e Astrit Deharit nuk mund të shfajësohet as zinxhiri institucional i asaj kohë, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme.

“Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e përgjegjësve para gjykimit. Nga arrestuesit e tij me akuza të fabrikuara, te përgjegjësit e burgut, drejtori i policisë e Kryeprokurorin Sylë Hoxha për pretendimet e tij të pabazuara, kontradiktore e deklaratat e rrejshme”, thuhet tutje në reagim.

Sipas LVV-së publikimi i Prokurorisë për raportin zviceran është propagandim i një anshëm.

“Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si mos të jemi   të zhgënjyer”, thuhet tutje aty.

Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale nxorri një publikim mbi raportin e institutit zviceran për vdekjen e Astrit Deharit.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

Sot për këtë çështja ka reaguar ministria e Drejtësisë, e cila ka fajësuar prokurorinë për manipulim me rastin Dehari.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka quajtur si akt të nxituar që Prokuroria Speciale t’i publikojë vetëm dy nga 5 konkluzione që thotë ai se janë në këtë raport.

Sveçla për rastin Dehari: Kush ia kërkoi Prokurorisë Speciale që me nxitim të flas pjesshëm?