Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sveçla për rastin Dehari: Kush ia kërkoi Prokurorisë Speciale që me nxitim të flas pjesshëm?

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas publikimit të Prokurorisë Speciale për raportin e ekspertizës nga instituti zviceran për rastin Dehari. Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

Sveçla e ka quajtur si akt të nxituar që Prokuroria Speciale t’i publikojë vetëm dy nga 5 konkluzione që thotë ai se janë në këtë raport.

Ministri ka ngritur pyetjen se kush ia kërkoi këtij institucioni që të flas “pjesshëm” për këtë çështje.

“Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”, ka shkruar ministri në Facebook.

Sipas Sveçles, ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim.

“Në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, do të angazhohem që përbrenda kompetencave që kam, të kontribuojë pa kursim në sjelljen e drejtësisë për Astritin”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme edhe Ministria e Drejtësisë me anë të një njoftimi e ka quajtur të nxitur komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Më shumë se 5 vite janë bërë prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.

Në lidhje më këtë ekspertizë PSRK dy ditë më pare me anë të njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.Përpos ADN-së, prokuroria njofton opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje prokuroria shton se raporti i fundit nuk rekomandon ndonjë ekspertizë apo ri-ekzaminim tjetër.

Për njoftimin e Prokurorisë Speciale reagoi edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Gashi përmes rrjetit Facebook ka potencuar se Prokuroria duhet të tregoj të vërtetën, pa manipulime.

Gashi i cili është edhe përfaqësues ligjor i familjes Dehari thotë se prokuroria para se të publikonte njoftimin është dashur t’i dërgoj një kopje familjes dhe atij si përfaqësues ligjor.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ekspertizën e kanë marrë para 12 ditëve. Qëllimisht apo rastësisht bën hapa të gabueshëm në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit, ajo ka publikuar një komunikatë për media me komente të veta para se të ju dërgoj kopje të ekspertizës shtesë të Institutit Zviceran fillimisht familjes së Astrit Deharit si dhe mua si përfaqësues ligjor i familjes Dehari”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, prokuroria duhet të tregoj nëse kanë marr gjurmë të ADN-së nga të burgosurit, stafi i qendrës së paraburgimit në Prizren dhe gjithë të përfshirët kur ai ishte dërguar në spital.

“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregoj se a kanë marrë gjurmë të ADN- së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marr gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, shtoi tutje Gashi.

Gashi thekson se Prokuroria Speciale po e ka më të nevojshme të jap prononcime të panevojshme dhe po luan rolin e  prokurorit të mëhershëm që tentoi të mbyllte shpejt këtë rast.

“Prokuroria Speciale duket që e ka më të rëndësishme që të jep prononcime krejtësisht të panevojshme për arsye që vetëm ata i dinë dhe është duke tentuar që ta luaj rolin e një prokurori të mëhershëm i cili tentoi ta mbyll rastin më pak se dy jave pas vrasjes se Astrit Deharit”, shtoi Gashi më tej.

Ai tutje theksoi se ky rast nuk duhet të keqpërdoret nga askush, e më së paku nga Prokuroria Speciale.

“Rasti i vrasjes së Astrit Deharit nuk do të duhet të keqpërdorej nga askush dhe më së paku nga Prokuroria Speciale duke e shndërruar në betejë për opinion në vend që të nxjerrin Aktvendim për zhvillim të hetimeve në drejtim të gjeturave shkencore që japin vetëm një konkludim që Astrit Dehari është vrarë. Ligji thotë që palët janë te barabarta por duket që Prokuroria këtë qëllimisht apo rastësisht nuk e aplikon”, tha Gashi.

Prokuroria: Ekspertiza zvicerane nuk gjeti ADN tjetër në objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin