Prokuroria: Ekspertiza zvicerane nuk gjeti ADN tjetër në objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin

Më shumë se 5 vite janë bërë prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.

Në lidhje më këtë ekspertizë PSRK njoftoi opinionin publik shkurtimisht për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njofton opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje prokuroria shton se raporti i fundit nuk rekomandon ndonjë ekspertizë apo ri-ekzaminim tjetër.

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, njofton prokuroria.

Rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit akoma mbeten të pasqaruara dhe akoma nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit.

Ajo çfarë dihet është se menjëherë pas konfirmimit të vdekjes së tij në opinion ishin dhënë deklarata të ndryshme në lidhje me mënyrën e vdekjes së tij.

Deklaratat e para ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Pas autopsisë, rezultatet sipas kryeprokurorit të atëhershëm në Prizren, Sylë Hoxha, kishin konstatuar se Astrit Dehari kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

Rezultatet e autopsisë nuk ishin bindëse për familjen e Astritit, dhe prindërit e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje e kishin drejtuar gishtin tek pushteti duke e quajtur vdekjen e tij vrasje.

Vdekjen e Deharit e bëri më të mistershme pas gjashtë muajsh edhe vdekja e Naser Makollit, i cili kishte qenë dëshmitari kyç dhe personi i parë që e kishte gjetur të vdekur Astrit Deharin.

Naser Makolli, në një deklaratë të tij, e kishte përshkruar Astritin si një njeri të qetë, të lumtur, që nuk paraqiste asnjë çrregullim, asnjë frikë apo shqetësim dhe se i njëjti asnjëherë nuk e kishte përmendur se do të mund t’i bëj diçka vetes.

Për të zbardhur rastin e vdekjes djalit të tyre, familja Dehari kishte kërkuar kryerjen e një super-ekspertize.

Me propozim të ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 50 mijë euro për mbulimin e kostos së super-ekspertizës.

Prindërit e Astrit Deharit kishin thënë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Jashtë vendit për ekspertizë ishin dërguar edhe video-incizimet e kamerave të sigurisë së qendrës së paraburgimit në Prizren.

Në ekspertizën e kryer në Austri thuhej se nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje në kamerat e sigurisë dhe se ky konstatim e përjashtonte mundësinë e manipulimit me kamera.

Ndërsa ekspertiza zvicerane i kishte shtuar edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit pasi ishte kërkuar që të hapej edhe një herë hetimi duke mos e përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Deri te ky rekomandim për rihapjen e hetimit, instituti zviceran kishte ardhur pasi kishte konstatuar prezencën e ADN-së së një personi tjetër në rripin e orës së ekzaminuar.

Ndërkaq për ta bërë edhe më të mistershëm këtë rast në janar të vitit 2020 u raportua zhdukja e cimerit tjetër të qelisë së Astrit Deharit.

Adonis Gashi, njëri nga tre shokët e qelisë në të cilën po mbahej Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit ishte shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe nga dy shokët e dhomës së Astritit, shoku i tretë i burgut Luz Allakaj u lirua.

Për lirimin e tij kishte reaguar Lëvizja Vetëvendosje pasi i njëjti ishte falur nga atëherë presidenti Hashim Thaçi.

Atij iu falën 3 vjet e gjysmë burgim nga Presidenti pasi ishte duke e vuajtur dënimin për vrasjen e një të mituri 13-vjeçar.

Astrit Dehari ishte arrestuar në vitin 2016 si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit.