Lushtaku: Hashim Thaçi i shprehi ngushëllime familjes Bunjaku përmes telefonit

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku bashkë me djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, kanë vizituar për ngushëllime familjen e policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të dielën nga grupi terrorist serb.

Nga Haga, përmes telefonit, Lushtaku thotë se familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë pasi po gjykohet për krime lufte.

“..I cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut” – ka shkruar Lushtaku duke bashkangjitur edhe fotografi duke biseduar në telefon.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës. Tre prej grupit terrorist janë vrarë.