Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lushtaku: Besnik Berisha duhet t’i bashkohet PDK-së, nuk është për LDK

Nënkryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, ka thënë se avokati Besnik Berisha duhet t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke shkruar se Berisha nuk është për LDK.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lushtaku ka thënë se ka përcjellë me vëmendje intervistën e mbrëmshme të avokatit Berisha dhe sipas Lushtakut, duke parë qasjen e avokatit ndaj arrestimit të tij, e ka ftuar publikisht që t’i bashkohet PDK-së.

“E dëgjova me vëmendje intervistën e avokatit Besnik Berisha të dhënë për Berat Buzhalën. Duke e parë qasjen e tij, e ftoj publikisht Besnikun që t’i bashkohet PDK-së sepse ai nuk është për LDK” – ka shkruar Lushtaku.

Mbrëmë avokati Besnik Berisha në një intervistë për mediumin Nacionale, ka folur për arrestimin e tij nga Prokuroria e Ferizajt.

Ai ka akuzuar prokurorin Rasim Maloku se ‘me urdhër të pushtetit’ e ka arrestuar atë.

“Nëse një klysh i pushtetit i veshur me petkun e pushtetit, merr udhëzime nga një ministre e padijshme, e paedukuar, e dështuar në profesionin e vet, patjetër se arrestohen edhe avokatët. Unë jam arrestu nga një klysh i pushtetit. Për ata që na dëgjojnë e mos me u çuditë ju tregoj kush është Ai është Rasim Maloku. Po ju tregoj se në një seancë e cila ka zgjatë nga ora 19:30 deri në orën 4 pas mesnate, Malokun e kam quajtur ahmak, e që je idiot e i padijshëm, e që ke marrë urdhëra prej pushtetit” – ka thënë ndër të tjera Berisha, në këtë intervistë.

Gjykata Themelore në Ferizaj me 16 korrik ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj avokatit Besnik Berisha.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj Besnik Berishës është caktuar masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Më 13 korrik, avokati Besnik Berisha ishte arrestuar nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim për avokatin Besnik Berisha