Aleksandër Lumezi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lumezi: Nuk kishte vullnet politik për hetimin e krimeve të luftës

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nuk kanë pasur sukses në trajtim të krimeve të luftës pasi ka munguar vullneti politik.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se edhe ndërkombtarët e kanë krijuar një përceptim se rastet nuk mund të trajtohen nga gjykatësit vendorë.

“Nuk ka pasur vullnet të pastër politik për trajtimin e krimeve të luftës sepse do kishim edhe buxhet më të madh për rritjen e numrit të prokurorëve në kuadër të Prokurorisë Speciale për këto raste”, tha ai.

“Ndërkombëtarët e kanë krijuar një vetëdije dhe një percepcion se prokurorët dhe gjyqtarët vendorë nuk kanë mundësi t’i trajtojnë këto raste sepse janë të ndikuar etnikisht dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme”, shtoi Lumezi.

Lumezi potencoi se qeverisja e re e ka rritur buxhetin për prokurorë në kuadër të Departamentit për krime të luftës.

“Me LVV-në e kemi një tjetër situatë, pasi na ka rritur buxhetin për prokurorë në kuadër të Departamentit për krime të luftës, edhe për katër më shumë”, shtoi ai.

Aleksandër Lumezi theksoi se prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEX-it nuk kanë pasur sukses në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.