Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Korrupsioni në drejtësi, përmendet edhe emri i ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi

Një hulumtim dyvjeçar i emisionit “Kallxo Përnime” ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Në pjesën e dytë të emisionit, i cili denoncon aferën në të cilën përfshihet ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, janë trajtuar pretendime të tjera, të cilat lidhen edhe me ish-Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin.

Denoncuesi i këtij rasti, Sali Dakaj, e ka lidhur Lumezin për shkak të miqësisë së tij me kompaninë e cila është e paditur në këtë rast.

I pyetur nga emisioni “Kallxo Përnime”, ish-Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi mohon të ketë lidhje me këtë rast.

Ai ka thënë se jo vetëm Dërguti por secili prokuror e kryeprokuror duhet t’i shmangen çdo sjellje dhe situate që mund të vërë në pikëpyetje integritetin dhe paanshmërinë e tij.

“Lidhur me ketë çështje civile-juridike për te cilën ju jeni interesuar, unë asnjëherë nuk kam biseduar me z. Haxhi Derguti e as nuk jam i informuar se çfarë ka biseduar ai me persona të tjerë për këtë çështje civile-juridike, qe nuk është fare ne kompetence te Prokurorisë. Nuk mund te flas për paragjykimet dhe precesionet e z. Dakaj për një çështje qe është ne kompetence te gjykatave dhe kontrollohet nga tri (3) instanca gjyqësore. Kryeprokurorit te Apelit e asnjë prokurori tjetër i cili kryen funksionin e prokurorit nuk i lejohet te ofroj këshilla ligjore, përveç rasteve te mbrojtjes se te drejtave personale. Çdo prokuror, rrjedhimisht edhe kryeprokuroret gjate punës dhe jashtë saj duhet t’i shmangen çdo sjellje dhe situate qe mund te veje ne pikëpyetje integritetin dhe paanshmërinë e tij”- thuhet në përgjigjen e Aleksandër Lumezit dhënë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Se ka pasur ndikime qysh ka pretenduar Sali Dakaj e mohon edhe avokati i kompanisë “ExCom”, Atdhe Dika.

Sipas tij, ata kanë fituar lëndën në shkallën e parë përballë kompanisë së Dakajt.

“Ne në shkallën e parë  e kemi fituar rastin qe e kemi me kompaninë “Çlirimi” dhe kjo kompani na detyrohet neve me një borxh mbi 1 milion euro mirëpo kompania e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës dhe ka parashtruar ankese në shkallën e dytë. Nga pronari i kompanisë jam njoftuar se pretendimet e Dakajt se ka pasur ndikim nuk qëndrojnë”- ka thënë Dika.

Çështjet gjyqësore të këtij rasti janë duke pritur me vite për përfundim në gjykatat e Kosovës.

Mbrëmë është shfaqur pjesa e parë e hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.

www.kallxo.com