Aleksandër Lumezi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Mes emocionesh, Aleksandër Lumezi përmbyll mandatin si kryeprokuror i Shtetit

Aleksandër Lumezi, me një fjalim përmbyllës, i emocionuar, ka përmbyllur mandatin e tij si kryeprokuror i Shteti.

Lumezi e ka quajtur fat, punën që e ka bërë në bashkëpunim me ish-prokurorët e prokurorët e Sistemit Prokurorial të Kosovës.

Aleksandër Lumezi ka përmendur faktin se gjatë mandatit të tij shtatë vjeçar si Kryeprokuror i Shtetit ka pasur shumë sfida por tha se ndjehet mirë që Sistemi Prokurorial ka avancuar dukshëm në raport me vitet e kaluara.

“Para vetës kam pasur sfida të mëdha, sfida reale mirëpo duke ju falënderuar komunitetit të prokurorëve të shtetit, vlerësimit të tyre, bashkëpunimit të tyre, sinqeritetit kam arritur deri diku që të zhvillojmë dhe të bëjmë lëvizje të caktuara brenda sistemit, sot jemi një institucion shumë ma kredibil se para disa viteve.  Ju jeni faktikisht një mburojë e sistemit një mburojë e prokurorëve, kryeprokurorëve dhe keni qenë një organ kolegjial që më keni përkrahur”, tha Lumezi.

Lumezi tha se gjatë mandatit të tij shpesh herë është përballur me shumë kritika të cilat sipas tij disa kanë qenë të mira por që disa kanë qenë për qëllim të dëmtimit të integritetit të tij personal.

“Ju e dini që gjatë kësaj rruge kam pasur sfida të ndryshme, shpesh herë kanë qenë qëllim këqija me qëllim që të dëmtohet edhe integriteti im personal dhe i sistemit në përgjithësi dhe duke ju falënderuar juve që faktikisht edhe keni qenë edhe matës edhe vlerësues të punës sime dhe integritetit tim jam shumë falënderues, besojë që edhe në të ardhmen do të jem këtu në kuadër të sistemit prokurorial brenda mundësive të mija të jap kontributin që edhe më shumë të avancohet ky sistem”, deklaroi Lumezi.

Aleksandër Lumezi përmendi edhe kritikat të cilat kanë ardhur nga shoqëria civile, për të cilat tha se kanë ndihmuar në përmirësimin e punës së Sistemit Prokurorial.

“I falënderoj kritikat e shoqërisë civile që kanë qenë qëllim mira, por edhe ata që na kanë kritikuar edhe pa vend, mirëpo sa herë që a pasur kritika na kanë ndihmuar për ta përmirësuar sistemin”, tha Lumezi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur Besim Kelmendin si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Caktimi i ushtruesit të detyrës erdhi pasi që sot ka përfunduar mandati kryeprokurorit aktual të shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, gjatë mbledhjes deklaroi se pasi që deri më sot nuk kanë pranuar dekretimin nga presidentja për kandidatin e propozuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, atëherë me qëllim që kjo pozitë të mos mbetet vakante është e domosdoshme që të caktohet një ushtrues detyre deri në një vendim nga Presidenca.

Njoftimi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është bërë në fillim të muajit janar.

Propozimin për caktimin e Besim Kelmendit si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit e dha prokurorja Jehona Grantolli.

Caktimi i Besim Kelmendit si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit u bë me aprovimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të cilët ishin të pranishëm në mbledhje.

Procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit e kanë kritikuar organizatat e shoqërisë civile.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Raporti ka vënë në pah se në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit