'Lufta' me flakët në fabrikë, flet shefi i zjarrfikësve të Drenasit

Pas një dite “luftë” me zjarrin në objektin e fabrikës së qeseve të plastikës, komandanti i zjarrfikësve në komunën e Drenasit, Afrim Gjeli ka thënë se situata tashmë është nën kontroll.

Ai shtoi se sot (12.03.2024) nuk kanë pasur telashe me ujë për dallim nga e hëna, duke shtuar se masa plastike që ka prodhuar kjo fabrikë ua ka vështirësuar lokalizimin e zjarrit.

“Ka pas ujë gjatë ditës, njëherë jemi furnizuar, përndryshe në rregull është deri tash. Është masa plastike që na ka vështërsu lokalizimin e zjarrit. Jemi duke përdorur ujin si materie për shuarjen komplet të këtij zjarri, kemi përdorur edhe shkumë. Rreziku është i madh nëse hymë në objekt, për shkak se është dëmtuar në masë të madhe, ka llasra që janë të varura dhe mund të bijnë poshtë, mi dëmtu zjarrëfiksat” – tha Gjeli.

Tutje duke treguar gjendjen e objektit tha se edhe disa mure të tij janë shembur.

“Nuk ka rrezik në pjesën e jashtme vetëm brenda. Operacioni se di sa mund të zgjas mund të zgjas ndoshta 3 orë ndoshta edhe 5 orë por ndoshta edhe 7 orë”, – tha tutje ai.

Komandanti i zjarrfikësve tha se nuk ka asnjë zjarrfikës të lënduar.

Këtyre të fundit në ndihmë u erdhi edhe KFOR e Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Më 11.03.2024, është përfshirë nga zjarri fabrika e plastikës në Korreticë të Epërme të Drenasit.

https://kallxo.com/lajm/mungesa-e-ujit-per-shuarjen-e-zjarrit-te-fabrika-ne-drenas-kru-prishtina-jemi-duke-punuar-qe-te-kete-uje/