Foto: BBC

Lufta civile në Jemen, vëllai që shpëtoi motrën nga vdekja prej snajperit (VIDEO)

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në qytetin Taiz të Jemenit thonë se më shumë se 450 fëmijë janë vrarë ose plagosur nga snajperi i Houthi në gjashtë vitet e fundit.

Motra e Amrit, Ruweida ishte një nga ata fëmijë. Ajo kishte shkuar për të marrë një gotë ujë për xhaxhain e saj kur ishte qëlluar nga një snajper përballë shtëpisë së saj, raporton BBC.

Vëllai i saj, Amrit, ishte afër Ruweidas kur ajo kishte rënë në tokë nga goditja. Amrit e tërhoqi zvarrë nga rruga për ta shpëtuar motrën e tij, e cila ishte qëlluar në kokë.

Amrit tregon se derisa po e tërhiqte motrën nga rruga për ta shpëtuar nga të shtënat e tjera, ai kishte frikë se do të qëllohej nga snajperi.

Ruweida ka pasur dy operacione dhe kishte qëndruar për 5 ditë në koma.

Babai i Ruweidas, Saleh Bin Saleh ka thënë se vajza e tij ende nuk mund të flejë nga dhimbjet e kokës.

“Ruweida është e frikësuar. Kur unë i them të shkojë deri në dyqan, ajo thotë ‘jo’. Kurdo që dëgjon një zhurmë ajo mendon se do të qëllohet përsëri”, rrëfen Saleh

Lufta civile e Jemenit filloi në vitin 2014 kur Houthi përzunë qeverinë e njohur ndërkombëtarisht nga kryeqyteti.

Një koalicion i udhëhequr nga Sauditët, i mbështetur nga Britania, është përpjekur të rikthejë qeverinë në pushtet. Houthi, të cilët mbështeten nga Irani, mohojnë pretendimet se ata targetojnë fëmijët.

*Video përmban pamje të rënda për persona të ndjeshëm.