Kryetari i Prishtinës dhe e bija e Lordi britanik Paddy Ashdown, Katherine Theurel. Foto: Përparim Rama/Facebook

Lordi britanik Paddy Ashdown nderohet me titullin “Qytetar Nderi i Prishtinës"

Lordi britanik Paddy Ashdown në 24-vjetorin e ditës së çlirimit të kryeqytetit është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Prishtinës”.

Ky titull i është ndarë atij për kontributin që ka dhënë në luftën për drejtësi dhe për pavarësi të Kosovës.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka treguar se për të marrë këtë titull enkas në Prishtinë ka ardhur e bija e lordit Ashdown, Katherine Theurel, pasi Ashdown nuk jeton më.

“Paddy Ashdown ishte udhëheqës, diplomat dhe luftëtar i drejtësisë, i cili ndikoi thellë në peizazhin politik në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kosovë” – ka thënë kryetari Rama.

Rama tutje shtoi se Ashdown kundërshtoi veprimet mizore të Serbisë dhe përkrahu pavarësinë e Kosovës që në vitin 1996. Madje ai ka dëshmuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe ka mbështetur ndërhyrjet e NATO-s dhe u bë zëri i drejtësisë për Kosovën.

Paddy Ashdawn ka vdekur më 22 dhjetor 2018.

Prishtina ka shënuar sot ditën e çlirimit.

24 vite më parë, kryeqyteti i Kosovës fitoi lirinë, e për nder të kësaj ditë sot janë mbajtur një sërë aktivitetesh të cilat do të  kulmojnë me koncertin e madh, në sheshin “Skënderbeu”, nga ora 20:45.