FOTO:KALLXO.com

Loci: Peja e ka vetëm një infektolog dhe ai është para pensionimit

Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, ka thënë se Peja e ka vetëm një infektolog, i cili tashmë është në prag të pensionimit.

Tutje Loci ka shtuar se kanë një bashkëpunim të mirë me Institutin e Shëndetit Publik në Pejë dhe se në ditë kryhen mesatarisht 50 testime, duke deklaruar se numri i testimeve në Pejë është rritur në momentin që ka filluar procesi mësimor.

“Arsyeja që nuk kemi filluar të realizojmë teste serologjike është sepse të gjitha kërkesat tona drejtuar IKSHPK po trajtohen në kohë rekorde dhe kjo ka bërë që ne të mos fillojmë. Mesatarisht janë mbi 50 mostra që merren në ditë. Numri i testimeve është rritur prej kur që ka filluar procesi mësimor. Peja e ka vetëm një infektolog në Spitalin Rajonal i cili është para pensionimit. Edhe nëse këtë vit përmes ministrisë do të ketë specializantë, atij do t’i duhet 4-5 vjet përgatitje për trajtim të pacientëve. Fatmirësisht kemi një numër më të madh të pulmologëve të cilët mund të shërbejnë në trajtimin e pacientëve me COVID-19 përderisa ekzistojnë protokollet e ministrisë dhe IKSHPK”, ka thënë Loci.

 

Në emisionin “Jeta në Komunë” sot është duke u diskutuar për situatën dhe menaxhimin e COVID-19 në komunat e Kosovës. Të ftuar në debat janë Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, Visar Shehu, nënkryetar i komunës së Prizrenit.