Peja me objekt të veçantë për vaksinim, qytetarët ankohen për konfuzion

Ndryshe nga komunat tjera të cilat vaksinimin me vaksinën kundër COVID-19 e bëjnë nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare Komuna e Pejës ka objekt të veçantë për vaksinim.

Mirëpo, njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë se vaksinimi nëpër komuna bëhet nëpër QKMF i hutoi qytetarët. Ata trokitën dyerve të QKMF-së por nuk arritën të bëjnë zgjidhje andaj u detyruan të vazhdojnë rrugën për të arritur në vendin e duhur për vaksinim.

Një situatë e tillë i ndodhi dje Brahim Husajt nga Peja. Ai thotë se sot bashkë me babin e tij 78 vjeçar shkuan në Qendrën e Mjekësisë Familjare, por stafi aty i orientuan për në ish- ambulantën e dhëmbëve.

“Shkuam aty (në ish- ambulantën e dhëmbëve)  në katin e parë shkruante “Vaksinimi” pyetëm stafin shëndetësor aty thanë jo në katin e dytë, në katin dytë më orientuan prapë për katin e parë. Mezi u regjistrua për vaksinim baba”, rrëfen ai për KALLXO.com.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se njoftimi i Ministrisë se vaksinimi bëhet në QKMF i ka çorientuar qytetarët.

Mirëpo, ai poashtu thotë se edhe qendra e vaksinimit është njësi e QKMF-së.

“Ne e kemi qendrën kryesore të vaksinimit e kemi objekt të veçantë. Vaksinimi që nga dita e parë kryhet në qendrën kryesore të vaksinimit por ka ndodh një llapsuz i Ministrisë së Shëndetësisë që e ka nxjerr që thotë se në komuna tjera vaksinimi bëhet në QKMF tash natyrisht se njerëzit i çorienton ajo”, thotë drejtori.

Drejtori thotë se Ministria është dashur të konsultohet me komunën dhe jo të lëshojnë “shabllon një njoftim”.

Sa i përket statistikave të personave të cilët kanë aplikuar për vaksinim në Komunën e Pejës, Loci thotë se nuk kanë arritur të bëjnë statistika për shkak se shumë qytetarë janë regjistruar online.

“Herën e kaluar si fillim i kemi marrë 1000 doza deri në fund të asaj faze i kemi vaksinuar 2100 persona i kemi marr herë pas here 100 – 200 doza për shkak se komuna tjera hezitojshin me i marr”, tregon tutje ai.

Komunat do të furnizohen me vaksina të premten.

Kosova sot ka filluar vaksinimi për moshat 65 vjeçar. Fushata e vaksinimit në Kosovë filloi më 29 mars.

Furnizimi i Kosovës me vaksina

Kosova është vendi i fundit në Evropë i furnizuar me vaksina kundër COVID-19.

Të gjitha vaksinat e ardhur deri më tani në Kosovë janë donacion dhe se Qeveria e vendit edhe pse i ka ndatë 40 milion euro për blerje të vaksinës ende nuk e ka blerë asnjë dozë vaksine.

Sot Kosova ka pranuar donacion nga UNICEF- i 38 mijë e 400 vaksina kundër coronvirusit.

Më 28.03.2021 arriti kontingjenti i parë me 24 mijë vaksina “AstraZeneca”, kundër coronavirusit, donacion nga UNICEF i programit COVAX nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Donacionet për vaksinat kundër coronavirusit vazhduan, kësaj radhe nga Bashkimi Evropian.

Më 04.05.2021 Kosova ka pranuar edhe 4,680 mijë vaksina “Pfizer/BioNtech” për vaksinimin e stafit shëndetësor, të cilët nuk kanë arritur të vaksinohen nga kontingjenti i parë i vaksinave “AstraZeneca”.

Më 15 janar 2021 Kosova po ashtu pranoi donacion frigoriferët nga granti i Bankës Botërore për mirëmbajtje të vaksinave që mundëson një temperaturë deri në – 86 grad Celsius.

Deri më tani në Kosovë COVID-19 ka prekur 106,651 persona prej tyre 2,217 kanë vdekur.

Në anën tjetër brenda 24 orëve në nivel vendi janë regjistruar 113 raste të reja me SARS-CoV-2 përderisa janë shpallur të shëruar 316 persona të tjerë.

Aktualisht në nivel vendi janë 5,895 raste aktive me COVID-19.

Kosova nuk e bleu asnjë dozë vaksine për COVID-19