Fatmir Gërguri: Lumenjtë ku ka rërë e zhavorr janë dëmtuar mbi 90%

Kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Fatmir Gërguri, ka deklaruar se lumenjtë e Kosovës në të cilët ka rërë e zhavorr janë dëmtuar deri në 90%.

“Në ato zona ku rrjedha e lumit shtrihet nëpër resurset minerale, ku ka rërë e zhavorr, në masën prej 90% janë të dëmtuara. Në ato pjesë lumore ku shtrihen nëpër arat, brigjet e lumenjve janë të dëmtuara tej mase. Janë dëmtuar prej kompanive e shfrytëzuesve ilegalë”, tha Gërguri në emisionin “Jeta në Komunë” në diskutimin për kontaminimin e lumenjve.

Gërguri e ka konfirmuar se vetëm gjatë vitit 2020 i kanë dhënë mbi 30 dënime.

“Në 2020, i kemi 31 operatorë që i kemi dënuar”, tha Gërguri.

 

KALLXO.com ka analizuar projektbuxhetin e vitit 2021 dhe ka gjetur se janë ndarë më pak se 10 milionë euro për ndërtimin e 12 impianteve të ujërave të zeza.

Kosova është njëri nga vendet e Ballkanit me më së paku burime të ujit të pijshëm.

Të ftuar në debat për të diskutuar për kontaminimin e Lumenjve janë: Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, shef i departamentit të ujërave, Diana Metushi Krasniqi, nga KDI, Seniha Bajraktari, Zyrtare e lartë për mjedis në Komunën e Prishtinës dhe Fatimr Gërguri, Kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.