Ura e Ibrit, Foto: Shkodrane Dakaj, KALLXO.com

Lista Serbe për propozimin e hapjes së urës së Ibrit: Shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë

Lista Serbe është shprehur kundër propozimit që është dërguar për shqyrtim në Kuvendin Komunal Mitrovicës së Veriut për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.

Përmes një reagimi në Facebook, Lista Serbe ka thënë ‘se hapja eventuale e urës padyshim që do të ketë incidente në këtë zonë’.

“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës ilegale parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë”- thuhet në reagimin e kësaj partie.

Lista Serbe, urën e vendosur mbi lumin Ibër në Mitrovicë e ka konsideruar si ‘simbol të vuajtjes së popullit serb.

“Ura në të cilën ndodhën më shumë se një mijë sulme me motive etnike nga jugu në veri është simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimit të Prishtinës për të dëbuar serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban në të cilin ata mbijetuan në një numër më të madh”- thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre, ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në këto zona për çka kanë kërkuar nga KFOR dhe faktori ndërkombëtar të mos e lejojnë zbatimin e tij.

“Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha”- thuhet në reagim.

“Parandalimi i lëvizjeve të tilla nga ana e Prishtinës dhe këshilltarëve të Kurtit do të ishte në përputhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur të gjitha veprimet që cenojnë procesin e dialogut”- thuhet tutje aty.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka planifikuar që në seancën e sotme të shqyrtojë vendimin hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

Marrëveshja për revitalizimin e Urës së Mitrovicës është arritur me 25 gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-kreu i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa koha e përcaktuar me këtë marrëveshje për hapjen e urës në qarkullin të plotë ishte 20 janari i vitit 2017 deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit e bën të paqartë fatin e Urës së Ibrit