Mogherini te ura e Ibrit | Foto: KALLXO.com

Moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit e bën të paqartë fatin e Urës së Ibrit

Hapja për qarkullim të plotë e Urës së Ibrit në qytetin e ndarë të Mitrovicës nuk po realizohet, edhe pse një gjë e tillë ishte paraparë të ndodhë vitin e kaluar, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

Marrëveshja për revitalizimin e Urës së Mitrovicës është arritur me 25 gusht të vitit 2015 nga ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-kreu i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa koha e përcaktuar me këtë marrëveshje për hapjen e urës në qarkullin të plotë ishte 20 janari i vitit 2017.

Por për ish-udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi dhe njohësit e këtij procesi, marrëveshja e arritur në Bruksel për hapjen e urës së Ibrit si edhe shumë  marrëveshje të tjera, mbeten të pazbatueshme.

Edita Tahiri, ish-Kryenegociatore e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, thotë për KALLXO.com se Bashkimi Europian ka dështuar ta revitalizojë dhe ta hapë urën e cila ndan veriun me jugun e Mitrovicës.

“Ura e Ibrit është dashur të hapet për lëvizje të lirë sipas marrëveshjes se Brukselit që në janar të vitit 2017, mirëpo Bashkimi Europian i cili e ka pasur për kompetencë edhe revitalizimin e urës edhe hapjen e saj me marrëveshjen e Brukselit për mendimin tim ka dështuar të realizojë hapjen e urës”, tha ajo.

Përveç BE-së, Tahiri e fajëson edhe Qeverinë e Kosovës për mos ndërmarrjen e  masave në këtë çështje.

“Po ashtu ka munguar edhe angazhimi i kësaj qeverie aktuale që të rrisë presionin tek Bashkimi Evropian për hapjen e urës, sepse më këtë rast Serbia praktikisht ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, por Qeveria jonë është dashur të jetë më shumë aktive, e që nuk është”, tha ish-udhëheqësja e dialogut.

Tahiri theksoi se Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi nga BE për dështimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, pasi sipas saj Serbia dhe Kosova kanë propozuar që ky mekanizëm ndërkombëtar të hap për qarkullim urën e Mitrovicës.

Ndërkaq Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për dialogun Kosovë-Serbi, thotë për KALLXO.com se marrëveshja për revitalizimin e Urës së Mitrovicës, është një ndër marrëveshjet e shumta të cilat janë arritur në Bruksel, por që nuk kanë gjetur zbatim.

“E kemi parë që një problematikë që e ka rrethuar këtë marrëveshje ka qenë fakti se si do të bëhet zbatimi i kësaj marrëveshje, si do të duket qoftë edhe qyteti, pra pjesa veriore dhe jugore me anë të kësaj marrëveshje”, tha ajo.

Sipas Krasniqit, problematikë tjetër në këtë proces është shfaqur edhe me ndërtimin e murit ndarës në Mitrovicë, pas të cilit siç thotë ajo, është kërkuar edhe një intervenim për një marrëveshje të re që është arritur në mes qeverisë së kaluar dhe komuniteteve.

“Kjo ndërlidhet absolutisht edhe me mungesën e masave zbatuese të vetë Bashkimit Evropian që ka qenë vetëm ndërmjetësues dhe jo si një formë zbatimi të marrëveshje, por në të njëjtën kohë lidhet edhe me mos respektimin e afateve kohore nga ana e Komunës së Mitrovicës së Veriut”, vlerësoi Krasniqi.

Më 5 dhjetor të vitit 2016, në Mitrovicën Veriore kishte filluar të ndërtohej një mur ndarës, në kohën kur ura kryesore mbi lumin Ibër ishte në proces të ri-dizajnimit dhe e cila parashihej të lëshohej në qarkullim të plotë në fillim të 2017-ës.

Muri i cili u ndërtua afër Urës së Ibrit është rrënuar përfundimisht më 5 shkurt të vitit të kaluar.

https://kallxo.com/bashkimi-europian-u-druhet-vonesave-ne-revitalizimin-e-ures-se-ibrit/

Gjithashtu, ngecje në hapje të urës sipas Jeta Krasniqi (KDI), po shkakton edhe çështja e delimitimit mes Mitrovicës së Veriut dhe Jugut, për caktimin e kufirit mes dy komunave.

Me gjithë vështirësitë për të normalizuar qarkullimin e qytetarëve serbë dhe shqiptarë në veri të Kosovës, kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri ka paralajmëruar mbajtjen e një koncerti muzikor që do t’i paraprinte hapjes së urës mbi Ibër.

Skepticizëm për mundësinë e realizimit të kësaj ideje ka shfaqur Edita Tahiri.

“Edhe vetë zotëri Bahtiri ka qenë pjesë e  delegacionit të Kosovës të cilin e kam udhëhequr unë në bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe ai e di që kjo kompetencë është e Bashkimit Evropian. Përndryshe vetëm lansimi i ideve sa për fjalë të mira e sa për media nuk mjafton”, tha për KALLXO.com Tahiri.

Sipas saj, hapja e Urës së Ibrit është shumë më komplekse sesa një iniciativë koncertale.

Kurse Jeta Krasniqi nga KDI, thekson se nuk ka ndonjë koment të veçantë për idenë e Bahtirit, por që sipas saj këto çështje nuk duhet të merren me kaq lehtësi.

“Duhet  patjetër ajo urë të hapet për qytetarët dhe të mos jetë një çështje e kontestueshme pasi deri më tani e ka bllokuar bashkëjetesën, në vend se ta promovojë atë”, u shpreh ajo.

Dialogu Kosovë-Serbi  nga niveli teknik tashmë ka kaluar në dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe po zhvillohet në nivel presidentësh.