Monedha 2 euro

Lista e udhëzimeve të Bankës Qendrore për shmangien e monedhave 2 euro false

Pas shpërndarjes masive të monedhave 2 euro false nëpër Kosovë dhe masave ndaluese që kanë vendosur disa biznese duke mos pranuar fare pagesa me 2 euro, si autoritet përgjegjës, Banka Qendrore (BQK) ka dalë me një listë udhëzimesh për të shmangur këtë problematikë.

Ndër të tjera, në udhëzimet e BQK-së është theksuar qartë që asnjë autoritet tjetër përpos BQK-së nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave, dhe se të gjitha denominimet në euro të kartëmonedhave dhe monedhave të vërteta (origjinal), pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Republikën e Kosovës. 

Në mënyrë që të ruhet besueshmëria dhe integriteti i valutës Euro dhe rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Kosovës, BQK thotë që është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor.

BQK ka kërkuar që qytetarët dhe bizneset të mundohen të kryejnë më shumë pagesa në formë elektronike e jo me para të gatshme, në mënyrë që të shmanget qarkullimi i monedhave dhe kartmonedhave false, gjithashtu të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve me këtë denominim.

Më tej, është sqaruar si si mund të dallohen lehtazi monedhat false nga ato origjinale, pasiqë monedhat e falsifikuara përgjithësisht “kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje”.

Ndërkaq, BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre. 

Nga bizneset financiare dhe bankat, BQK ka kërkuar të ngrisin kapacitetet e tyre në adresimin e kësaj dukurie, të lehtësojnë furnizime me monedha të reja për qytetarët dhe bizneset dhe të shtojnë komunikimin me klientët dhe autoritetet përkatëse sa më efektivisht. Gjithashtu, bankat dhe institucionet jo bankare, duke përdorur pajisjet e tyre adekuate dhe të avancuara, të lehtësojnë deponimin apo zëvendësimin e monedhave që detektohen si origjinale me denominime në monedha më të vogla apo kartëmonedha që konsiderohen nga qytetarët dhe bizneset më lehtë të qarkullueshme.   

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Nenit 296 të Kodit Penal  të Republikës së Kosovës dhe Nenit 19 dhe 20 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me gjobë ose burgim. 

Prandaj, në rast të dyshimit, BQK kërkon që qytetarët dhe bizneset, udhëzohen që të kontaktojnë Policinë e Kosovës në mënyrë që monedhat e dyshuara si të falsifikuara të tërhiqen nga qarkullimi dhe të dërgohen për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Në këtë mmënyrë do të luftohet burimi i prejardhjes së tyre dhe shpërndarjes brenda vendit. 

“Sa i përket ankesave lidhur me këtë çështje, çdo pengesë eventuale që qytetarët apo bizneset mund të hasin nga institucionet financiare ato mund të adresohen në BQK, kurse nëse pengesat për qytetarët paraqiten nga bizneset, ata mund t’i adresojnë ankesat e tyre të institucionet përkatëse inspektuese (qendrore apo lokale), apo tek organet e zbatimit të ligjit”- ka shkruar BQK.

Ky autoritet ka ndarë edhe këtë link manuali ku qytetarët dhe bizneset mund të klikojnë për verifikim të parave nëse janë origjinale ose false.

Një ditë më parë, me 500 monedha 2 euroshe që dyshohet se ishin të falsifikuara, një qytetar ishte nisur për të paguar faturën e shpenzimeve të energjisë elektrike në KEDS. Sipas Policisë, një zyrtare e KEDS-it ka informuar që një klient kishte kryer pagesë me këto monedha.Pas numërimit kanë dalë që 500 prej tyre kanë qenë 2 euroshe të falsifikuara.

Ndërkaq, më 29 nëntor, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë persona të cilët dyshohen për prodhim dhe futje në treg të parave të falsifikuara dhe kanë sekuestruar një vlerë të madhe të monedhave false. 

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Benjamin Ajrullovski, Sherif Ajrullovski, Alil Ajrullovski, Setki Ramuka, Muhamed Krasniqi dhe Hajredin Dernjani janë gjashtë të dyshuarit për falsifikimin e monedhave 2 euro.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për 6 të dyshuarit. Sipas dosjes së Prokurorisë së siguruar nga KALLXO.com Benjamin, Sherif dhe Alil Ajrullovski, shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë siguruar në vendin fqinjë mbi 42 mijë copa të monedhave 2 euro në vlerë totale prej mbi 85 mijë euro, para të cilat kanë qenë të gatshme të falsifikuara.

Për t’i futur në Kosovë, ata kishin përdorë metoda të kamufluara. Sipas prokurorisë, të dyshuarit i kishin futur paratë e falsifikuara në një qese të zezë najloni, duke u dukur si mall i zakonshëm dhe i kishin futur në Kosovë.

Dosja – Si ranë në grackën e policisë grupi që dyshohet se sollën në Kosovë mbi 42 mijë monedha false