Lirohet nga paraburgimi Ismet Asllani, i dyshuar në rastin "Brezovica"

Është liruar nga paraburgimi Ismet Asllani, i ndaluar më 6 janar të këtij viti nga Policia e Kosovës në rastin “Brezovica”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku.

Asllani ishte ndaluar nën dyshimin për veprat penale – dhënia e ryshfetit dhe ushtrimi i ndikimit.

Gjykata e Ferizajt më 7 janar 2022 kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Asllanit, kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimit dhe ish-sekretarit të kësaj Ministrie, Arben Çitakut.

Gjykata në njoftim kishte thënë se në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura dhe ky dyshim i bazuar mbështetet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkëngjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Operacioni i rastit “Brezovica” më 6 janar është kryer në disa lokacione në tri komuna të vendit si dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Një muaj paraburgim për 3 të arrestuarit në operacionin e djeshëm për rastin “Brezovica”