Rasti 'Brezovica', prokurori ndërpret marrjen në pyetje të Arben Çitakut

Prokuroria e Ferizajt e ka ndërprerë marrjen në pyetje të Arben Çitakut pasi sipas prokurorisë gjatë marrjes në pyetje të Çitakut në vend të tij është përgjigje mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të Prokurorisë së Ferizajt.

“Gjatë marrjes në pyetje, pavarësisht tërheqjes së vërejtjes së vazhdueshme nga ana e prokurorit të çështjes z.Maloku ndaj avokatit mbrojtës Besnik Berisha që të mos përgjigjet në pyetjet e parashtruara, edhe pse mund të konsultoheni me klientin tuaj, mirëpo, jo që të përgjigjeni në vendin e tij, i njëjti ka vazhduar njëjtë dhe prokurori në këtë fazë të procedurës ka ndërprerë marrjen në pyetje” thuhet në komunikatë.

Prokuroria po ashtu ka njoftuar se kjo seancë ishte caktuar të mbahej në shkurt të këtij viti, por në zyrën e prokurorit të shtetit nuk është paraqitur as Arben Çitaku e as mbrojtësit e tij, avokati avokati Halit Shaljani dhe avokati Besnik Berisha.

 

Njoftimi plotë i Prokurorisë së Ferizajt:

 Ferizaj, 26 Prill 2022– Prokuroria Themelore në Ferizaj, për hir të informimit korrekt, njofton opinionin publik se në çështjen penale kundër të pandehurit Arben Çitaku, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni  422 par.1 të KPRK-ës dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 të KPRK-së, gjatë seancës së dhënies së deklaratës nga i pandehuri në zyrën e Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda në Ferizaj, z.Rasim Maloku, është ndërprerë marrja në pyetje e të pandehurit, pasi që në vend të tij është përgjigjur mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha.

Gjatë marrjes në pyetje, pavarësisht tërheqjes së vërejtjes së vazhdueshme nga ana e prokurorit të çështjes z.Maloku ndaj avokatit mbrojtës Besnik Berisha që të mos përgjigjet në pyetjet e parashtruara, edhe pse mund të konsultoheni me klientin tuaj, mirëpo, jo që të përgjigjeni në vendin e tij, i njëjti ka vazhduar njëjtë dhe prokurori në këtë fazë të procedurës ka ndërprerë marrjën në pyetje të të pandehurit dhe i ka njoftuar palët se do të njoftohen më kohë për seancën e ardhshme.

Po ashtu, vlen të theksohet se lidhur me këtë rast edhe seanca e dhënies së deklaratës që ishte caktuar të mbahej me datën 14 Shkurt 2022, ndaj të pandehurit Arben Çitaku, nuk është mbajtur, pasi që në Prokurori, nuk janë paraqitur mbrojtësit e të pandehurit avokati Halit Shaljani dhe avokati Besnik Berisha.

 

KALLXO.com ka raportuar për arrestimin e Citakut dhe lirimin e tij nga paraburgimi.

Apeli liron nga paraburgimi Arben Çitakun për rastin ‘Brezovica’