Foto-ilustrim

Një muaj paraburgim për 3 të arrestuarit në operacionin e djeshëm për rastin “Brezovica”

Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të ndaluarve dje për rastin “Brezovica”:

Gjatë ditës së djeshme janë arrestuar Bedri Halimi, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu është prangosur edhe Arben Çitaku.

Çitaku po dyshohet për veprat penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe për veprën penale – marrja e ryshfetit.

Ndërsa Ismet Asllani është ndaluar nën dyshimin për veprat penale dhënia e ryshfetit, dhe ushtrimi i ndikimit.

Sipas njoftimit, Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Në një operacion të zhvilluar nga Prokuroria e Ferizajt, e mbështetur nga Policia, dje janë arrestuar kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Palnifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, ish-sekretari i kësaj Ministrie, Arben Çitaku, dhe një qytetar, Ismet Asllani.

Operacioni i djeshëm është kryer në disa lokacione në tri komuna të vendit si dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kujtojmë se ditë më parë në aksionin e Policisë të udhëhequr nga Prokuroria e Ferizajt, për rastin e njëjtë janë arrestuar edhe ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës si dhe drejtori i Urbanizmit.