Logo e NP KRU" Prishtina"

Nipi i Hashim Thaçit ndërron pozitën në Ujësjellësin "Prishtina”

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka kohë që punon si koordinator në departamentin e shitjes nipi i ish-presidentit Thaçi, Qëndrim Thaçi.

Por, që disa muaj, djali i vëllait të Hashim Thaçit ndërroi pozitën e punës, nga pjesa e faturave ai tani është si koordinator për mbrojtje në punë.

Kështu konfirmoi vetë ushtruesi i detyrës i kryeshefit ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.

“Qëndrim Thaçi ka disa muaj, shtatë apo tetë muaj, ka lëvizur nga një departament në një departament tjetër. Ka qenë koordinator në departament të shitjes, te pjesa e faturimeve, tash është koordinator për mbrojtje në punë”, tha Xhafa për KALLXO.com.

U.d. kryeshefi ekzekutiv ka dhënë edhe arsyet për ndërrimin e pozitës së punës së Qëndrim Thaçit.

“Për shkak të COVID-it është dashtë me rritë stafin sepse një zyrtar që ka qenë për mbrojtje në punë ka rezultuar me Covid pozitiv edhe është shtuar stafi te mbrojtja në punë përkohësisht për shkak të situatës emergjente. Por, si pozitë është e njëjtë, koordinator”, deklaroi ai.

Sokol Xhafa e ka mohuar se lidhja e Qëndrim Thaçit me njerëz të politikës ia mundësoi ndërrimin e pozitës së punës. Ai e ka pranuar se punësimet që janë bërë në “KRU Prishtina” kanë ndodhur me ndikime politike, por sipas tij, ai nuk ka bërë asnjë punësim.

“Unë nuk kam mujtë me i zgjedhë të punësuarit që janë zgjedh në ujësjellës, siç janë zgjedhur në të kaluarën, të gjithë e dimë sesi janë punësuar. Por unë e di me iu garantu juve dhe të gjithë të tjerëve se për mua, politika është zero dhe s’ka pasë asnjë rëndësi. Mua herë më akuzojnë për militant të Vetëvendosjes, dikush më thotë je anëtarë i LDK-së, unë nuk merrem me parti, po vazhdoj me punu”, tha Sokol Xhafa.

“Këta të punësuarit, a qëllojnë nipa a dajë të dikujt, unë nuk mundem me zgjedhë, se ata që janë, janë, unë s’e kam punësu kërkënd”, deklaroi ai.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi edhe për ngritjen në detyrë të njërit prej fëmijëve të një politikani.

Djali i Imri Ahmetit, Qëndrim Ahmeti u emërua u.d. shef i Zyrës ligjore në “KRU Prishtina”.

Qeveria e Kosovës ditë më parë emëroi bordin e përkohshëm në ndërmarrjen publike “KRU Prishtina”.

Shefi i Qeverisë kosovare, Avdullah Hoti vendosi në krye të këtij bordi Labinot Dedushin, një zyrtar të Komunës së Lipjanit e cila udhëhiqet nga Imri Ahmeti i LDK-së.

Zyrtari i Komunës së Lipjanit bëhet kryesues i bordit të KRU “Prishtina”

www.kallxo.com