Logo e NP KRU" Prishtina"

“KRU Prishtina” gjobitet nga ATK-ja me afër 1 milion e 400 mijë euro

Ujësjellësi Regjional “KRU Prishtina” është gjobitur nga Administrata Tatimore e Kosovës në vlerë prej afër 1 milion e 400 mijë euro.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar U.D kryeshefi i “KRU Prishtina, Sokol Xhafa. Ai tha se gjoba e shqiptuar nga inspektorët e ATK-së është afër 1 milion e 400 mijë euro.

“Po, është e vërtetë që ATK na ka gjobitur në vlerë prej afër 1 milion e 400 mijë euro”, ka thënë Xhafa.

Kryeshefi ekzekutiv i “KRU Prishtina” ka treguar edhe arsyet e gjobës, për të cilën tha se po ndjeken rrugët ligjore për ankesë.

“Janë çështje që sipas Inspektoratit të ATK-së është bërë gabim trajtimi i borxheve të këqija në vitet 2011, 2012 dhe 2013 dhe të njëjtat janë paraqitur në pasqyrën financiare të vitit 2014 janë paraqitura si humbje të matura. Sipas ATK-së janë gabim të trajtuara sipas neve nuk janë gabim sepse kemi pasur një rast gjyqësor për inspektimet e ATK-së në vitin 2010 dhe e kemi fituar si rast gjyqësor në vitin 2015 ose 2016, nëse nuk gaboj”, deklaroi Xhafa.

Xhafa paralajmëroi se çështjen për ankesë do ta ndjekin edhe në gjykatë.

“Gjykata na ka dhënë të drejtë sesi ne i kemi trajtuar borxhet e këqija. Ne i kemi shfrytëzuar rrugët ligjore për ankimim. Aktualisht e kemi dërguar te Departamenti i Anekseve të ATK-së dhe po presim një përgjigje prej tyre”, tha ai.

Kreshefi i ekzekutiv i “KRU Prishtina” tha se dënimi prej 1 milion e 400 mijë euro do ta dëmtonte shumë ndërmarrjen.

“Si dënim mund ta rrezikojë shumë ndërmarrjen sepse është një vlerë shumë e madhe, ne i kemi shfrytëzuar të gjitha të drejtat ligjore që na jep ligji që me u anku. Zgjidhje e fundit na mbetet padia edhe dërgimi i lëndës në gjykatë, ashtu siç kemi vepruar edhe në praktikat e kaluara”, tha në fund ai.