Logo e NP KRU" Prishtina"

Si u vlerësuan kandidatët për kryeshef ekzekutiv të KRU Prishtinës nga komisioni vendor dhe britanikët?

Procesi i zgjedhjes së kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka marrë epilog këtë muaj pas më shumë se dy viteve me një ushtrues detyre.

Më 8 dhe 9 shtator janë mbajtur intervistat për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “KRU Prishtina”.

Arsim Fetahu ka dalë kandidati më i suksesshëm për kryeshef ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sipas Komisionit vendor.

Fetahu është renditur i pari me 28.2 pikë prej 40 sa ka qenë totali nga Komisioni vlerësues vendor ndërsa është renditur i dyti nga partneri britanik me 23.5 pikë. Te britanikët, kandidati më i poentuar ka qenë Shaqir Rexhepi, me 24 pikë në total. Por Rexhepi është renditur i 4-ti nga Komisioni vendor me 20.8 pikë.

I dyti te Komisioni vlerësues vendor është renditur Luan Hoti me 25.3 pikë ndërsa nga britanikët Hoti u radhit i treti me 22.5 pikë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, është renditur i treti te Komisioni vlerësues vendor me 23.03 pikë. I njëjti nuk është renditur në tre kandidatët e emërueshëm në listën e britanikëve.

Pas Arsim Fetahut, Luan Hotit dhe Sokol Xhafës te Komisioni vendor, janë radhitur Shaqir Rexhepi me 20.8 pikë, Selatin Retkoceri me 15 pikë dhe Fadil Bejta me 12.5 pikë.

Që nga nxjerrja e vendimit me emrin e kandidatit më të suksesshëm nga bordi e deri në emërimin e kryeshefit është një periudhë prej tetë ditëve kalendarike gjatë të cilave kandidatët mund të deponojnë ankesa.

Në intervistim kanë marrë pjesë gjashtë kandidatë ndërsa Komisioni vlerësues përbëhej nga katër anëtarë të cilët janë në bordin e ndërmarrjes, Teuta Ukshini-Aliu – kryesuese, Saxhide Mustafa, Albana Berisha-Qehaja, Fadil Berisha – anëtarë.

Procesi është asistuar edhe nga kompania britanike – BDO, e cila është angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i asistuar institucioneve në përzgjedhjen e zyrtarëve nëpër pozita e institucione të ndryshme.

Konkursi i fundit për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina” ishte mbajtur në nëntor të vitit 2021. Në atë kohë, bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” e kishte zgjedhur Fatos Krasniqin në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes. Por Krasniqi nuk e kishte pranuar detyrën për shkaqe personale. KALLXO.com e kishte monitoruar këtë konkurs i cili ishte zhvilluar pa asistimin e britanikëve dhe detajet i gjeni KËTU.

Që nga ajo kohë KRU “Prishtina” ka qenë me ushtrues detyre. Këtë pozitë e ka mbajtur Sokol Xhafa.