Djali i Imri Ahmetit bëhet u.d. shef i zyrës ligjore në ‘KRU Prishtina’

Qëndrim Ahmeti, djali i kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, është emëruar Ushtrues Detyre i Shefit të Zyrës Ligjore në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina”.

Vendimin e mori u.d. Kryeshefi Ekzekutiv i “KRU Prishtina”, Sokol Xhafa.

Xhafa, në një bisedë për KALLXO.com e ka përjashtuar mundësinë që emërimi i djalit të kryetarit të Lipjanit të LDK-së lidhet me ndikime politike ndërsa tha se në këtë pozitë është vetëm derisa të hapet konkursi për pozitën e cila u la e lirë kohë më parë.

“Po, ka dy tre javë që është pozita vakante që e ka liruar sekretari, tash Qëndrimi është ushtrues detyre i shefit të zyrës ligjore, pra ka qenë pozitë vakante dhe ka kalu ky derisa të hapen konkurset”, tha Xhafa për KALLXO.com.

“Nuk ka ndikuar askush. Qëndrimi duhet t’i ketë më shumë se dy vite që është KRU Prishtina”, deklaroi ai.

Të pa ndikuar politikisht e quajti emërimin e tij edhe vetë djali i Imri Ahmetit, Qëndrim Ahmeti. Ndërsa, nuk e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme pozitën e shefit të zyrës ligjore në “KRU Prishtina”.

“Nuk jam avansuar, jam vetëm ushtrues detyre, jo me vendim të përhershëm. Nuk besoj që është ndonjë pozitë menaxheriale ose ndonjë pozitë e ndonjë drejtori e rëndësishme, është jo diçka që ka të bëjë. Është vendim i kryeshefit ekzekutiv që e ka pa të arsyeshme me plotësu këtë vend të lirë për shkak që, ish-shefi i zyrës ligjore ka kaluar sekretar. E ka pa të nevojshme me vepru kështu, nuk ka lidhje kjo me Bord as me asgjë”, tha Qëndrim Ahmeti, u.d. shef i zyrës ligjore në “KRU Prishtina”.

Qeveria e Kosovës ditë më parë emëroi Bordin e Përkohshëm në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina”.

Shefi i qeverisë kosovare, Avdullah Hoti vendosi në krye të këtij bordit, Labinot Dedushin, një zyrtar të Komunës së Lipjanit e cila udhëhiqet nga Imri Ahmeti i LDK-së.

Zyrtari i Komunës së Lipjanit bëhet kryesues i bordit të KRU “Prishtina”

www.kallxo.com