Ujësjellësi "Prishtina" dhe Vetëvendosje mohojnë se Sokol Xhafa është anëtar i kësaj partie

Kompania RAjonale Ujësjellësi “Prishtina” ka mohuar akuzat se ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë ndërmarrje është anëtar i Vetëvendosjes.

Në një reagim të ndërmarrjes thuhet që Sokol Xhafa nuk është anëtar i asnjë partie ndërsa në foton, e cila është publikuar në media, Xhafa ka qenë i ftuar në atë tryezë në cilësinë e drejtorit teknik të kompanisë.

“Sot, jemi të detyruar të reagojmë ndaj disa portaleve se, “drejtori i ri i ndërmarrjes së ujësjellësit është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje”. UD i kryeshefit ekzekutiv të KRU”Prishtina” Sokol Xhafa i cili deri më sot ka qenë drejtor teknik i kompanisë, nuk është anëtar i asnjë partie politike, rrjedhimisht as i Lëvizjes Vetëvendosje. Sokol Xhafa është me profesion hidroinxhiner që përket me veprimtarinë e ushtruar në këtë kompani, ndër vite. Një fotografi që po qarkullon gjithandej është nga një tryezë i ftuar si drejtor teknik i kompanisë, ku kanë qenë prezent Autoriteti Rregullativ për Ujëra, NP Ibër Lepenci, , profesorë të fakulteteve dhe akter të tjerë dhe nuk ka të bëjë asgjë me asnjë parti politike. Sokol Xhafa është një profesionist i fushës së inxhinierisë së ujërave. Kërkojmë nga ju që të jeni korrekt dhe se shpifjet  janë të papranueshme për ne”, thuhet në reagimin e KRU Prishtina.

Lajmin e ka mohuar edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Manxhuka përmes një publikimi ka thënë se Xhafa ka qenë mysafir në një nga tryezat e Vetëvendosjes.

“Lajmi tendencioz i publikuar në portalet Gazeta Express, Metro etj., është krejtësisht i pavërtetë. Sokol Xhafa dhe të tjerë që shihen në foto janë pjesëmarrës të një nga qindra tryezat tona të organizuara. Pra, asnjë Sokol Xhafa s’është anëtar i ynë. Mediat që me nguti nxjerrin lajme të tilla as pa konsultuar asnjë zyrtarë të subjektit nuk kanë qëllim tjetër pos të nxjerrin lajme të rreme me qëllim goditjen e Lëvizjes. Më poshtë gjeni linqet e tryezës sonë me temën: ”Mbrojtja e resurseve ujore”. Aty shihni fotografinë jo vetëm të Xhafës por edhe dhtra profesionistëve të kësaj lëmie që nuk kanë të bëjnë ë subjektin tonë”, ka shkruar Manxhuka.

Manxhuka, po ashtu, si dëshmi, ka publikuar edhe albumin nga tryeza ”Mbrojtja e resurseve ujore” të organizuar nga LVV.