Logo e NP KRU" Prishtina"

Bordi i emëruar nga Qeveria Kurti shkarkon UD Kryeshefin në KRU "Prishtina"

Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” i emëruar nga Qeveria Kurti, i kryesuar nga Mentor Hyseni ka marrë vendim për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës të Kryeshefit Ekzekutiv, Kapllan Parduzi dhe disa zyrtarëve të tjerë.

“Po, mundem me konfirmu”, tha shkurt Parduzi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se në vend të tij është emëruar Sokol Xhafa, deri tani drejtor teknik në KRU “Prishtina”.

“E kanë emëru Sokol Xhafën”, ka thënë Parduzi. Më 10 mars, Kapllan Parduzi ishte emëruar UD Kryeshefit Ekzekutiv, pas dorëheqjes së Ilir Abdullahut nga kjo pozitë.

Më 2 prill, Qeveria e Kosovës kishte shkarkuar Bordin e KRU “Prishtinës”. Në të njëjtën kohë e kishte emëruar një Bord të përkohshëm në përbërje të: Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor; Hajrie Morina, drejtore; Seat Bilbani, drejtor; dhe Idriz Maliqi, drejtor.

KALLXO.com ka raportuar se kryesuesi i Bordit, Mentor Hyseni është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Mentor Hyseni në zgjedhjet e fundit nacionale ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ishte anëtarësuar në këtë parti në gusht 2019.

Hyseni ka konfirmuar se përveç Parduzit, Bordi ka shkarkuar edhe Kujtim Xhelilin i cili ka qenë Zëvendëskryeshef dhe Sokol Durakun, i cili ka mbajtur pozitën e Zyrtarit të Lartë Financiar në kompani.

Të dy, Xhelili dhe Duraku kanë thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë konfirmim zyrtar nga Bordi.

“Unë jam në shpi, në pushim, qe një javë a 10 ditë, informata jo zyrtare mora edhe unë, por nuk e di, se nuk kam qenë në punë. Sa janë zyrtare nuk e di, Bordi i merr vendimet, nuk i komentoj”, ka thënë Xhelili

“Nuk e kam konfirmimin, nuk mundem me të dhonë përgjigje”, shtoi Sokol Duraku për KALLXO.com.