Dardane Sadiku, kandidate për deputete e PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019

Reforma e bordeve të Qeverisë Kurti, avancohet kandidatja PSD-së për deputete

Pak ditë pasi bordi i përkohshëm i Ujësjellësit “Prishtina”, i emëruar nga Qeveria Kurti, emëroi kryeshef ekzekutiv Sokol Xhafën, ky i fundit ka vendosur ta avancojë kandidaten e PSD-së për deputete, Dardane Sadikun, në një pozitë më të lartë në këtë ndërmarrje.

KALLXO.com zbulon se Dardane Sadiku ishte kandidate nga PSD në zgjedhjet e 6 tetorit dhe deri para pak ditësh ishte zyrtare e raportimeve në kuadër të Departamentit të kontabilitetit dhe thesarit në KRU “Prishtina”.

12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy kryetarë të komunave pasi janë ndarë nga partia e Albin Kurtit i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate. Kjo parti deri në zgjedhjet e fundit është udhëhequr nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Me vendim të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, Sokol Xhafa, Dardane Sadiku do të jetë ushtruese e detyrës së menaxheres për kontabilitet dhe thesar në KRU “Prishtina”.

Sadiku ka ardhur në këtë pozitë pasi që zyrtari i kaluar ishte ngritur në detyrë nga bordi i përkohshëm i ndërmarrjes.

Remzi Llumnica, që kishte aderuar në PDK në shtator të vitit të kaluar, ishte emëruar nga bordi i ndërmarrjes ushtrues detyre i drejtorit financiar në ndërmarrje dhe në vend të tij tashmë ka ardhur Dardane Sadiku.

Bordi i Qeverisë Kurti emëron U.D. të drejtorit financiar të aderuarin në PDK

E kontaktuar nga KALLXO.com, Dardane Sadiku e ka konfirmuar për KALLXO.com se ajo është ngritur në detyrë.

“Momentalisht jam ushtruese e detyrës e menaxheres për kontabilitet dhe thesar. Menaxheri që ka qenë ka kaluar në ushtrues detyre i zyrtarit kryesor financiar. Unë kam qenë zyrtare e raportimeve në kuadër të Departamentit të thesarit dhe kontabilitetit dhe jam avancuar si ushtruese e detyrës”, tha Sadiku për KALLXO.com, derisa konfirmoi se për këtë lëvizje brenda ndërmarrjes ka vendosur kryeshefi ekzekutiv, Sokol Xhafa.

Dardane Sadiku po ashtu e ka konfirmuar se ka qenë kandidate e PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019.

“Në zgjedhjet e fundit kam qenë kandidate e PSD-së për deputete. Pozita ime i raporton vetëm zyrtarit kryesor financiar dhe kryeshefit ekzekutiv. Nuk i raporton bordit. Unë nuk jam më pjesë e PSD-së, e as e Vetëvendosjes. S’kam qenë pjesë e Vetëvendosjes kurrë, as në të kaluarën”, tha Sadiku për KALLXO.com.

Dardane Sadiku, kandidate për deputete e PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019

Në anën tjetër, kryeshefi i ndërmarrjes KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, tha për KALLXO.com se kjo është një lëvizje e përkohshme derisa të përfundojë procesi i rekrutimit të drejtorit të ri financiar të ndërmarrjes.

“Ky nuk është avancim, është ushtruese e detyrës për një periudhë të caktuar derisa të përmbyllet konkursi për zyrtar kryesor financiar, sepse menaxheri kryesor i kontabilitetit ka kaluar si ushtrues detyre i zyrtarit kryesor financiar dhe kjo pozitë ka mbetur vakante”, tha kryeshefi i ndërmarrjes për KALLXO.com.

Xhafa thotë se Dardane Sadikun e ka propozuar Remzi Llumnica, i cila ka mbajtur këtë pozitë deri sa bordi i përkohshëm kishte vendosur ta ngrejë në detyrë.

“Zonja Dardane Sadiku është një kolege që ka përvojë në fushën e ekonomisë edhe ka ardhur si propozim, rekomandim prej ushtrueses të detyrës që personi kompetent që mund të zëvendësojë është Dardane Sadiku. Pasi që e kemi analizuar situatën brenda ndërmarrjes, kemi vendosur si menaxhment. Ky është një vendim përkohësisht, sepse sapo të përfundojë procedura e zgjedhjes së zyrtarit kryesor financiar, që konkursi është hapur tashmë, ajo kthehet”, tha në mes tjerash Xhafa.

Ai thotë se nuk është marrë me çështjen e kandidaturës së Sadikut për deputete në zgjedhjet e kaluara dhe se nuk ka pasur ndonjë kundërshtim ligjor nga brenda ndërmarrjes.

“Nuk është se jam marrë me atë çështjen e kandidimit me një parti politike, nuk është se e kam analizuar atë kontekst, përderisa e njëjta nuk ka paraqitur konflikt me pozicionin që e ka mbajtë brenda ndërmarrjes. Pse duhet të kishte konflikt nëse ka qenë kandidate për të. Unë s’kam pasur kundërshtim nga aspekti ligjor”, tha ai, derisa shtoi se Sadiku ka mbi 10 vite që është pjesë e ndërmarrjes.

Sipas Xhafës, pozita në të cilën është tani Dardane Sadiku, ndonëse është pozitë menaxheriale, nuk hyn te pozitat e menaxhmentit të lartë të ndërmarrjes.

Në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes KRU “Prishtina”, kryesues është Mentor Hyseni, i cili ishte emëruar në këtë pozitë me vendim të qeverisë.

Mentor Hyseni në zgjedhjet e 6 tetorit kishte qenë po ashtu kandidat për deputet, mirëpo nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria Kurti emëron përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit anëtarin e LVV-së