Sokol Xhafa demanton mediat se është anëtar i VV-së

Sokol Xhafa, i cili është zgjedhur ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, ka reaguar në lidhje me disa raportimeve të disa mediave, se ai është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Xhafa ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie, e as i Vetëvendosjes.

“Për taksirat kemi portale që më shumë merren me shpifje se sa lajme të vërteta. Absolutisht nuk kam qenë asnjëherë anëtar i asnjë partie, as i Vetëvendosjes nuk jam, as nuk kam qenë asnjëherë”, ka thënë Xhafa përmes telefonit.

Po ashtu, ai ka dhënë shpjegime për fotografinë që po e përdorin mediat, duke shkruar se aty Xhafa ka qenë në mbledhje të Vetëvendosjes.

Xhafa ka thënë se ajo fotografi është bërë kur ka qenë në një takim me ekspertë të sektorit të ujit dhe është bërë në ndërtesë të parlamentit.

“Fotografi që është aty, kemi qenë të ftuar zyrtarisht prej pozitës së drejtorit teknik, pozitë që është prej vitit 2016 dhe aty kemi qenë të ftuar ekspertë dhe zyrtarë të ndryshëm që merren me sektorë të ujit. Unë kam qenë i ftuar si drejtor teknik i KRU ‘Prishtina’. Aty kanë qenë profesorë fakultetesh, zyrtarë të këshillit ndërministrorë, Autoriteti Rregullativ për Ujëra, Iber-Lepenci, Instituti i Shëndetit Publik, zyrtarë të ndryshëm, qytetarë. Dhe kemi debatu më shumë për sektorin e ujit, problemet, thatësitë, zhvillimet, sigurinë e furnizimit me ujë, për tema të ndryshme që ndërlidhen me ujin”, ka thënë Xhafa.

Ai ka thënë se me sa e mban mend, takimi ka qenë i thirrur nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe KRU ‘Prishtina’, ku gjithashtu e kanë mohuar se Sokol Xhafa është anëtar i Vetëvendosjes.

Ujësjellësi “Prishtina” dhe Vetëvendosje mohojnë se Sokol Xhafa është anëtar i kësaj partie