Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liridona Sijarina: Në Kosovën e lirë gratë ndihen të pasigurta

Liridona Sijarina, aktiviste për të drejtat e grave, në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar rastin e 11-vjeçares, e cila dyshohet se ka qenë viktimë e dhunimit seksual nga disa persona më 27 gusht por edhe gjatë muajit qershor të këtij viti.

Lidhur me këtë temë, Sijarina ka thënë se gratë në Kosovë ndihen të pasigurta pasi që shteti nuk arrin të krijojë mekanizma efektivë për mbrojtjen e viktimave.

“Në Kosovën e lirë gratë ndihen të pasigurta, edhe përdhunohen, dhunohen e ngacmohen për shkak që ky shtet nuk arrin të krijojë mekanizma efektivë që i mbrojnë viktimat” – ka thënë Sijarina, e cila ka shtuar se duhet të ketë dorëheqje dhe shkarkime brenda institucioneve që kanë dështuar në rastin e 11-vjeçares dhe raste të tjera.

“Në këtë pikë do të duhej që së paku ose me pasë dorëheqje ose me pasë shkarkime në të gjithë zinxhirët që kanë qenë të përfshirë, këtu edhe prokurorinë që është njëra prej adresave kryesore që kanë dështuar në këtë rast dhe jo vetëm” – ka shtuar ajo.

Një vajzë 11-vjeçare që po dyshohet se u dhunua seksualisht nga pesë persona më 27 gusht ka qenë para dy muajve e regjistruar si viktimë e trafikimit në Zyrën për Mbrojtje të Viktimave.

Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregohet se më 21 qershor të këtij viti gjashtë persona brenda një dite dyshohet se kanë dhunuar e kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në motele të ndryshme.