Foto: KALLXO.com

Shefi i Sektorit të hetimeve rajonale në Gjakovë jep detaje rreth dy rasteve të dyshuara të dhunimit të dy të miturave

Dy raste të dhunimit seksual janë raportuar në Polici, në Gjakovë, më 4 tetor.

M.H., 19-vjeçar, po dyshohet se e dhunoi në një motel një vajzë të mitur 14-vjeçare. Kurse E.N., 22-vjeçar, dyshohet se e ka dhunuar në një parking një 15-vjeçare.

Shefi i Sektorit të hetimeve rajonale në Gjakovë, nënkolonel Bekim Avdijaj, në një prononcim për KALLXO.com ka shpjeguar këto raste të dyshuara të dhunimit.

“Më 4 tetor 2022 Stacioni i Policisë në Gjakovë është njoftuar se një vajzë e moshës së mitur është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin “Isa Grezda” për arsye se ishte rrëmbyer dhe ishte dhunuar seksualisht. Njësitet policore dhe njësitet relevante i janë përgjigjur rastit menjëherë” – tha Avdijaj.

Tutje, shefi i hetimeve rajonale tha se viktima është intervistuar në prani të Mbrojtësit të Viktimave, avokatit për të mitur, të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale dhe prindit.

“Nga deklarimi që është bërë, edhe njëherë potencoj në prani të personave kompetentë, e njëjta potencon që ka qenë (e dhunuar) edhe para gjashtë muajve” – shtoi nënkoloneli Avdijaj.

Ai tha se në bashkëpunim me Prokurorinë do të ndërmarrin hetime dhe se do të iniciohet rast i ri, “për arsye se nuk na ndërlidhet me personin e njëjtë”.

“Koha dhe personi është i ndryshëm dhe ne në bashkëpunim me prokurorinë do të shohim dhe do të ndërmarrim veprime që të iniciohet një rast i ri për rastin që është potencuar, do të thotë pas hetimeve që do të bëhen” – shtoi ai.

Viktima në fjalë  fillimisht kishte raportuar se më 4 tetor 2022 ishte rrëmbyer.

Mirëpo më vonë, sipas nënkolonelit Avdijaj, ajo kishte treguar se përmes rrjeteve sociale e kishte lënë që të takohej me të dyshuarin.

“Në intervistë rezulton që nuk ka elemente të rrëmbimit ngase e njëjta ka qenë e njoftuar edhe më herët përmes rrjeteve sociale dhe se takimin e kishin lënë që të takohen në stacionin e autobusëve” – tha ai.

“E njëjta tregon se me datën 4 tetor 2022 ka komunikuar dhe e kanë lënë të takohen në stacionin e autobusëve, aty janë takuar, kanë lëvizur pak nëpër qytet dhe pastaj kanë shkuar në një motel” – theksoi nënkolonel Avdijaj.

Shefi i hetimeve rajonale tha se ata kanë informata se viktima është nisur për në shkollë dhe është kthyer vonë.

“Në momentin kur është kthyer vonë tek shtëpia është arsyetuar se e ka pasur këtë rrethanë, mirëpo deklarimi i saj në Polici nuk potencohet që ka qenë e rrëmbyer” – shtoi ai.

Për këtë deklaratë të viktimës, Avdijaj tha se do ta shohin nëse ka elemente për të iniciuar rast për deklarim të rrejshëm.

“Ne në bashkëpunim me prokurorin e çështjes do të shohim dhe do të hetojmë se a kemi elemente për të iniciuar procedurë për deklarim të rrejshëm” – tha Avdijaj për KALLXO.com.

Për të dyshuarin M.H., Avdijaj tregoi se ai e ka pranuar se e ka kryer dhunimin.

“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet, është arrestuar edhe personi i dyshuar, i cili e pranon në prezencën e avokatit veprën në fjalë” – theksoi ai.

Ndërsa, për rastin që viktima pretendon se ka ndodhur para 6 muajve, nënkolonel Avdijaj nuk jep detaje me arsyetimin se nuk dëshiron të ndikojë në hetime.

Bekim Avdijaj thotë se janë në rrugë të mbarë të identifikimit edhe të personit i cili dyshohet se ka qenë pjesë e dhunimit të para 6 muajve sikur ka potencuar viktima.

Nënkolonel Avdijaj ka folur edhe për rastin tjetër të dyshuar të dhunimit ndaj një të miture.

Shefi i hetimeve thotë se dhunimi dyshohet se është kryer në një parking nga një 22-vjeçar.

“Prapë më 4 tetor 2022, diku rreth orës 18:00 në Stacionin Policor në Gjakovë është raportuar nga prindi i viktimës që ishte bashkë me viktimën, një rast i dhunimit të personit nën moshën 16-vjeçare” – tha Avdijaj.

Tutje ai tregoi se menjëherë pas pranimit të informatës janë angazhuar njësitet relevante dhe viktima në prezencë të avokatit mbrojtës për të mitur dhe Qendrës për Punë Sociale si dhe prindit është intervistuar.

Gjatë hetimeve, sipas nënkolonelit ka rezultuar se viktima kishte pasur lidhje përmes rrjeteve sociale me të dyshuar dhe se në natën kritike e kishin lënë që të takohen.

“E kishte lënë që të takoheshin diku rreth orës 01:30 në mesnatë, ku i dyshuari kishte shkuar dhe e kishte marr afër shtëpisë” – theksoi shefi i hetimeve rajonale të Policisë në Gjakovë.

Ai tregoi se pas këtij veprimi, viktima së bashku me të dyshuari kanë përfunduar në një vend të errët ku edhe ishte kryer akti i dhunimit seksual.

Ndaj dy të dyshuarve, M.H. dhe E.N., Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.