Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Dosja e dhunimit të 11-vjeçares: Konfirmohet se vajza ishte edhe më herët viktimë

Dosja e pretendimeve për dhunim të 11-vjeçares nga Prishtina është rënduar edhe më tutje.

Vajza e cila pretendohet se është dhunuar nga 5 persona ishte në duart e institucioneve të shtetit disa muaj më parë në një rast të ngjashëm ku ajo pretendohet se ishte viktimë e trafikimit.

Zyrtarisht, Prokuroria e Shtetit e Policia e Kosovës nuk kanë sqaruar nëse bëhet fjalë për dosje të abuzimit seksual apo për trafikim me qëllime të tjera mirëpo burime zyrtare kanë konfirmuar se vajza ishte trajtuar nga mbrojtësi i viktimave dhe kishte edhe mbikëqyrës nga Qendra për Punë Sociale në  Prishtinë.

Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Prokurorinë e Shtetit, Demë Hasanaj, ka konfirmuar për KALLXO.com se ka një dosje ku vajza është e identifikuar si viktimë e trafikimit.

“Para 3-4 muajve më duket, nuk i kam informacionet e thukëta mirëpo po, në zyrë te unë është e identifikuar si viktimë” – ka thënë Hasanaj.

11-vjeçarja sipas kësaj logjike ishte nën mbikëqyrjen e organeve shtetërore në kohën kur kishte ndodhur ngjarja ku ajo dyshohet se u dhunua seksualisht nga pesë persona.

KALLXO.com që nga dita e djeshme ka tentuar që të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, në lidhje me trajtimin e këtij rasti ku dyshohet se 11-vjeçarja ka qenë viktimë e trafikimit por asnjë nga këto institucione përgjegjëse deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë dhënë asnjë detaj.

Burime të ndryshme kanë sqaruar se për këtë ngjarje ka një urdhër nga hetuesia që të mos flitet me qëllim që skandali i dështimit të mbrojtjes së viktimës të mbahet larg syve të publikut.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, ka lënë të nënkuptohet se vajza kishte dosje të mëhershme si viktimë.  E njëjta ka thënë se rasti i 11-vjeçares ku dyshohet se ka qenë viktimë e trafikimit me qenie njerëzore është trajtuar dhe nuk është neglizhuar.

“Ka shku komfor protokollit, e kuptojmë sensivitetin e ngjarjes. Komfor përgjegjësisë së tyre, punëtorët socialë e kanë trajtu rastin, janë marrë me rehabilitimin e viktimës për aq sa ka pas hapësirë dhe kohë. Dhe ne ende jemi në trajtim të rastit. Nuk është neglizhu rasti, nuk është shpërfillë situata, është trajtu qysh në fillim, kur ka ndodh gjithçka” – ka thënë Sahiti.

Pretendimet për dhunimin e 11 vjeçares morën vëmendjen e shtuar të publikut pas zbulimeve që personat e dyshimtë kishin edhe precedentë të mëhershëm penal. Deri më tani duke u thirrë në përgjegjësinë për mostrajtimin e duhur të kësaj ngjarje dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtori i qendrës Korrektuese në Lipjan, Ali Gashi.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek 11-vjeçare dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr 11-vjeçares rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.