Foto: KALLXO.com

Liridona Sijarina: Dhuna ndaj vajzave e grave dhe femicidi duhet të trajtohen si urgjencë kombëtare

Liridona Sijarina, aktiviste për të drejtat e grave, ka deklaruar se dhuna ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi duhet të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Gjatë fjalimit të saj në protestën e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist pas vrasjes së Liridona Ademajt, Sijarina ka ftuar pjesëmarrësit në “rezistencë gjithëpopullore” për sigurinë dhe lirinë e grave dhe vajzave.

“Përveç organizimit popullor kjo luftë kërkon që ky shtet të trajtojë sigurinë e grave, të mos e kornizojë atë si çështje gjyqësore. Ne kemi thënë dhe po e përsërisim që dhuna ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi duhet të trajtohen si urgjencë kombëtare”- tha ajo.

“Ju ftojmë në organizim dhe rezistencë gjithë popullore, çdo ditë dhe kudo, për vajza dhe gra, për sigurinë dhe lirinë e tyre”- theksoi Sijarina.

Ajo tha se si gra dhe vajza e dinë se si duket patriarkati që sipas saj, o e denoncojnë si “dhunuesin e vrasësin e shoqeve tona” .

“Ne si vajza e gra e dimë se si duket patriarkati që po e denoncojmë si dhunuesin e vrasësin e shoqeve tona. Ky patriarkat është i gjithë sistemi që na ka rritë me besimin që ne si vajza e gra kemi ardhë në këtë botë për të qenë robër të burrave, është ky sistem i cili sot e qeveris çdo celulë të shoqnisë e të shtetit, që prodhon burra dhunues e vrasës si dhe gra viktima. Ky sistem mbahet mbi trupat dhe gjakun e vajzave dhe grave që po i bën kurban”- u shpreh Sijarina.

“Ne e kuptojmë që asnjë luftë nuk fitohet vetë, andaj ne kërkojmë prej secilës e secilit që të bashkohet me ne dhe t’i kundërvihet patriarkatit, në familje, shoqëri e në shtet”- shtoi ajo.

Protesta pas fjalimit ka përfunduar, përderisa disa nga protestuesit sikurse edhe para objektit të Policisë së Kosovës, kanë hedhur ngjyrë të kuqe para ndërtesës së Qeverisë.

Një numër qytetarësh protestuan në sheshet e Prishtinës kundër dhunës dhe vrasjeve të grave.

Protesta është thirrur pas rastit të fundit, gjatë të cilit është vrarë Liridona Ademaj.

Tre të dyshuar për vrasjen e saj tashmë janë arrestuar. Në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

“Drejtësi për Liridonën”, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, “Vrasësit e grave në burg”, “Për gratë çdo ditë është Luftë”, ishin disa nga pankartat që protestuesit po mbanin në duar.