Lëndimi i 12 minatorëve nga acidi sulfurik, reagon 'Trepça'

“Trepça” është deklaruar pas aksidentit në horizontin e 11-të në minierën e Stantërg-ut gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik, nga ku 12 punëtorë mbetën të lënduar.

Sipas reagimit të tyre, tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda po marrin trajtimin mjekësor në qendrën e oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Ekipet shpëtuese të minierës në krye me Udhëheqësin e Njësisë Biznesore z. Bahri Karaqa kanë reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”

“Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A., U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes Trepça Sh.A., Udhëheqësi i Njësisë Biznesore Minierat e Stantërgut me Flotacion Tunel i Parë, shprehin keqardhje për aksidentin e ndodhur në minierë si dhe urojnë shërim të shpejt dhe të plotë për punëtorët e lënduar të minierës” – thuhet në komunikatën e “Trepçës” të publikuar në “Facebook”.

12 minatorë të lënduar, 8 po marrin trajtim në emergjencë