Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK premton legalizim të kazinove

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Flamur Sefaj tha se kazinotë mund të legalizohen nëse kontrollohen, për shkak se bizneset e tilla hapin vende pune dhe gjenerojnë të hyra.

Sipas tij kazinotë janë gjë normale në vendet e civilizuara të botës të cilat lidhen me turizëm me resorte dhe aktivitete tjera kulturore.

“Ne mendojmë që vendimet e tilla nuk duhet ngutur. Duhet të bëjmë analizë edhe sociale edhe konomike. Analiza ekonomike është që aktivitetet e tilla që rregullohen me ligj që caktohen territoret që mund të caktohen me legalitet mund të gjenerojnë të hyra dhe vende të punës dhe do të jenë nën kontroll”, tha Sefaj në DebatPernime.

Sipas tij, bixhozi si fenomen social nëse nuk kontrollohet është negativ, por në aspektin ekonomik duhet të rregullohen në disa pjesë të Kosovës.

Përpos tyre ai tha se duhet të rregullohen edhe kazinotë online që janë përhapur gjatë pandemisë.

“Si në çdo vend të civilizuar të botës ka aktivitete të tilla që lidhen me turizëm, me resorte dhe aktivitete tjera kulturore”, deklaroi Sefaj.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK dhe Flamur Sefaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.