LDK kërkon nga Kurti ta heqë sa më parë tarifën

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri ta heqë sa më parë tarifën si të plotë.

“Ne presim veprime dhe për këtë e ke mbështetjen e plotë të LDK-së. Shumica janë që të hiqet tarifa”, tha Gashi në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të thirrur nga deputetët e opozitës.

Tarifa, sipas Gashit, ishte një mjet keq i përdorur dhe që na dëmtoi. “Mbajtja dhe vonesat në heqjen e saj vazhdojnë të na dëmtojnë”, shtoi ai.

“Do të ketë kohë për të treguar trimërinë tonë në procesin negociator.  LDK kërkon qe taksa të hiqet shpejt”, tha ai.

Tutje Gashi tha se nuk duam një proces negociator me BE-në pa përfshirjen e ShBA-së.

“Ne duhet te heqim taksën për t’i dhënë shans dialogut dhe ta heq këtë presion”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të PDK-së dhe deputetëve të tjerë.

Në këtë seancë po diskutohet për zhvillimet e fundit dhe reagimet e zyrtarëve të ShBA-së për mosheqjen e tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.