Foto: Kallxo.com

LDK: Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, sot kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u nisën drejt Hagës pas aktakuzave të konfirmuara nga Gjykata Speciale.

LDK përmes një publikim në Facebook kanë thënë se besojnë thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale.  Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në reagim.