Foto: Mirosllav Lajçak, Twitter

Lajçak takohet me seantorët amerikanë, kërkojnë shtensionim dhe rikthim në dialog

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është takuar me senatorët amerikanë Chris Van Hollen dhe Chris Murphy të cilët ndjekin nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak ka thënë se bashkë me seantorët vlerësojnë nevojën për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Po ashtu, ai ka theksuar edhe rikthimin në dialog dhe normalizim.

“Pata një takim të rëndësishëm në Hill me senatorë Chris Van Hollen dhe Chris Murphy CT të cilët ndjekin nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Ne ndamë të njëjtin vlerësim për situatën dhe ramë dakord për nevojën e de-përshkallëzimit dhe rikthimit në dialog dhe normalizim”- ka shkruar Lajcak në Twitter.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Lajçak, është takuar edhe me nënsekretaren e Shtetit amerikan për çështje politike Victoria Nuland.

Sipas Lajçakut ata kanë të njëjtin vlerësim për situatën në veri të Kosovës.

“Kemi ndarë të njëjtin vlerësim për situatën në veri të Kosovës dhe për mënyrën e daljes. Ramë dakord për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE” – ka shkruar ai në Twitter.

Emisari i BE-së dje ka deklaruar se deri më tani nuk është parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Bashkë me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ata thanë se është kërkesë e BE-së dhe SHBA-së që tre policët kosovarë, të kidnapuar nga Serbia, të lirohen menjëherë.

Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim krize. Takimi është paraparë të mbahet këtë javë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmoi sot pjesëmarrjen e tij në takimin e nivelit të lartë të thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ai tha se do të insistojë për lirimin të 3 policëve të kidnapuar, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.