Foto: Mirosllav Lajçak, X

Lajçak takohet me eurodeputetët në Strasburg, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Strasburg me disa eurodeputetë të Parlamentit Europian.

Lajçak tha se i ka informuar ata për më zhvillimet e fundit në dialog.

“Dje në Strasburg duke informuar The Progressives dhe EPPG group me më të fundit në Dialogun. Mirënjohës për mundësinë e një diskutimi tërheqës dhe interesin për punën tonë në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme të punojmë së bashku për ta bërë realitet integrimin e rajonit në BE”-ka shkruar Lajçak në rrjetin social “X” (ish-Twitter).

 

Javën e kaluar, Lajçak, ka zhvilluar një takim me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Francës, Emmanuel Bonne; atë të Gjermanisë, Jens Plotner; të Italisë, Francesco Talo si dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një postimi në platformën X, Lajçak ka thënë se kanë diskutuar për situatën në veri dhe dialogun.

“Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me kryekëshilltarët diplomatikë Bonne, Plötner, Talo dhe Escobar. Diskutuam hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës. Faleminderit për mbështetjen e plotë”- ka shkruar ai.

Më 24 shtator 2023, në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, gjatë të cilit ka vdekur një polic. Në këtë sulm i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos një polic e u lëndua një tjetër. Organet e rendit kanë konfirmuar zyrtarisht që janë vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.

Për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq, tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe. Ai më 3 tetor 2023 është ndaluar nga autoritetet serbe por një ditë më vonë, më 4 tetor 2023, Gjykata e ka liruar nga ndalimi. Të njëjtit i është ndaluar të largohet nga vendbanimi, të largohet nga Serbia, i është ndaluar të hyjë në Kosovë, i është konfirmuar pasaporta dhe i njëjti është urdhëruar të paraqitet dy herë në muaj në stacionin policor.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës, duke e quajtur “sulm të tmerrshëm dhe frikacak terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës”.