Lajçak prezanton ekipin e tij për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka prezantuar ekipin e tij.

Lajçak ka shkruar se ky ekip është takuar për herë të parë sot ndërsa është diskutuar për punën e ekipi në muajt në vazhdim.

“Ekipi im i Brukselit si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor u takua për herë të parë me të gjithë anëtarët sot. Diskutuam për punën tonë në muajt në vazhdim”, ka shkruar ai.

Dialogu Kosovë – Serbi pritet të rifillojë këtë vit pas krijimi të qeverisë së re në Kosovë dhe heqjes së masës së reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti. Dialogu është pezulluar qysh në fund të vitit 2018, kur Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj vendosi taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.