Lajçak pas takimit me Bislimin dhe Petkoviqin: Në dialog nuk ka asgjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë kësaj jave do të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin.

Në tryezën e organizuar nga Europian Policy Centre (EPC), Lajçak tha se gjatë vizitës së tij në Kosovë do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Do të udhëtojë të mërkurën, tri ditë do të jem në Kosovë, do të takohem me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, me përfaqësues të partive politike. Më pas do të vazhdojë vizitën në Beograd. Është pjesë e vizitave të mia të rregullta në rajon, diskutime me liderë si të shtyjmë procesin para”, tha Lajçak.

Lajcak ka përmendur takimet bilaterale dhe trilaterale të javës së kaluar duke theksuar se në dialog “nuk ka asgjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik. Dialogu është politik”.

Javën që lam pas në Bruksel, Lajçak është takuar me Besnik Bislimin zëvëndëskryeministrin për dialog, si dhe Petar Petkoviq, drejtor i së ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.

Pas këtij takimi, Bislimi në një konferencë për media ka deklaruar se në takim me Petkoviq kanë diskutuar për marrëeshjen për targat, të pagjeturit, si dhe hapjen e arkivave.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Lajçak: Kurtin dhe Qeverinë e tij i kemi partnerë me mandat të fortë për marrëveshje historike