Lajçak: Kurtin dhe Qeverinë e tij i kemi partnerë me mandat të fortë për marrëveshje historike

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë që me kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij, BE-ja e ka mundësinë për një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

Në tryezën e organizuar nga Europian Policy Centre (EPC), Lajçak foli për procesin 10 vjeçar të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Me kryeministrin Kurti e Qeverinë e tij, ne kemi partner me mandat të fortë që mund të ofrojë marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve. Do ta ndihmonte edhe synimin e qeverisjes së tij në Kosovës për ta forcuar sundimit e ligjit, luftimin e korrupsionit e përmirësojë sistemin e drejtësisë”, tha Lajçak.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se dialogu i deritanishëm ka qenë në koordinimin me SHBA-të dhe do të vazhdoj të jetë i tillë.

“Gjithçka që është arrite në dialog është arritur në një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e SHBA-ve. Ne kemi afërsi të ngushtë me administratën e Joe Biden. Do të vazhdojmë me të si me paraardhësit e tij”, theksoi ai.

Kosova dhe Serbia janë duke vazhduar dialogun për normalizim të marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, javën e kaluar janë zhvilluar disa takime dy palëshe dhe tre palëshe për këtë proces.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.