Lajçak: Kërkuam nga opozita të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, sot gjatë ditës janë takuar me krerët e partive opozitare në Kosovë.

Lajçak ka thënë se ka kërkuar nga opozita të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet.

“U shpjegova partive opozitare shqiptare të Kosovës pasojat e krizës aktuale dhe dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”- ka shkruar Lajçak në Twitter.

 

Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, presidentin Vjosa Osmani, ndërsa kanë takuar edhe liderët e partive opozita për të vazhduar pastaj edhe në kryeqytetin serb, Beograd.

Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur pas takimit me me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se asnjëherë nuk ka parë shqetësim më të madh tek ndërkombëtaret në lidhje me situatën në Kosovë.

Sipas tij, e gjithë kjo bie nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës.

“Diskutuam për çështjet e fundit, për relacionet e Kosovës me SHBA. PDK ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes, pasi Qeveria në mënyrë të fshehur pa koordinim ka marrë veprimet që nxitën tensione” – tha kryetari i PDK-së.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se një gjendje e tillë në Kosovë nuk është parë në 33 vitet e përpjekjes për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë.

Pas takimit me emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, Abdixhiku i ka bërë thirrje edhe presidentes Vjosa Osmani, sipas tij, të jetë më e zëshme.

“Gjendje e paparë për ne në këto 33 vite përpjekje për liri, pavarësi, demokraci. Qytetarët të kuptojnë përtej populizmit, rrugën e Kurtit. Unë shpresoj të reflektojë dhe i bëjë thirrje edhe presidentes që të bëhet me e zëshme” – tha Abdixhiku para gazetarëve.

Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.

Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative.

Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23” si pasojë e ‘mosdëgjimit’ nga Qeveria e Kosovës.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.