Lajçak bën përmbledhjen e punës së tij javore, flet për takimet që pati më palën serbe e kosovare

I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miosllav Lajçak ka bërë një postim përmbledhës për takimet që i pati ai gjatë kësaj jave me dy palët e përfshira në dialog.

Ai tha se pati kënaqësinë të marr pjesë në Simpoziumin e 25-të Ndërkombëtar Symi në mjedisin e bukur të ishullit grek të Kretës.

Sipas tij, ky takim siguroi një platformë të shkëlqyer për t’u angazhuar me miq, kolegë dhe bashkëbisedues të shumtë, duke diskutuar çështjet përkatëse globale që rezonojnë në arenën e sotme ndërkombëtare.

“Në margjinat e tubimit pata një takim të vlefshëm me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti” – tha Lajçak.

Tutje ai tha se u angazhuan me Kurtin në një bisedë të gjatë dhe konstruktive për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën drejt de-përshkallëzimit, në përputhje me deklaratën e BE27 nga 3 qershori dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut.

“Të martën, u ktheva në Bruksel për t’u përgatitur për bisedime mikpritëse me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq” – shkroi i dërguari i posacëm i BE-së për dialogun në mes dy vendeve fqinje.

Ai tha se i kushtuan orë të gjata diskutimeve mbi një listë gjithëpërfshirëse të çështjeve të Dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimin e nevojshëm në veri.

“Ne ramë dakord që të vazhdojmë këto diskutime dhe punën tonë për disa dokumente në periudhën e ardhshme” – u shpreh Lajçak.

Më pas ai foli edhe për takimin që pati me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se po atë ditë vizitoi Brukselin.

Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve” – tha Lajçak.

Ai tha se nga fundi i javës, në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, pati një takim të këndshëm, por edhe produktiv dhe të thellë me mikun dhe kolegun e tij, ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë Miroslav Wlachovsky.

Për këtë takim Lajçak tha se ishte thellësisht i nderuar që mora një çmim prestigjioz nga Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj diplomacisë sllovake.