Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme për arrestimet në KEK

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtë zakonshme në të cilën do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Kjo pikë e rendit erdhi si kërkesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila u mbështet edhe nga 40 deputetë.

Edhe në seancën e së enjtes së kaluar, përmes një mocioni procedural PDK-ja kishte kërkuar debat parlamentar në lidhje me këtë çështje, mirëpo i njëjti nuk ishte mbështetur nga deputetët e Kuvendit.

Si rezultat, PDK-ja më pas braktisi seancën.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua javën e kaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit.

Më 25 prill, bordi i drejtorëve të KEK-ut mori vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. kryeshefit ekzekutiv, bordi ka emëruar Perparim Kabashin, aktualisht drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Opozita thërret seancë të jashtëzakonshme për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut