Kushtetueseja 'ndez motorët', 6 vendime për 3 ditë

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë vulë disa prej çështjeve të cilat kishin ngjallur reagime në opinion vendor dhe ndërkombëtar.

Ligji për pagën minimale, Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Rregullorja e BQK-së, Kodi i Procedurës Penale, vendimi i OSHP-së për shkarkimin e anëtares së saj, dhe Ligji për ndryshim/plotësim të Ligjit për KPMSHCK-në, janë çështjet për të cilat kjo gjykatë mori vendime se a janë në përputhje me Kushtetutën.

Si kundër-kushtetues kjo Gjykatë e gjeti Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, vendimin e Kuvendit me të cilën ishte shkarkuar Kimete Gashi nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së, si dhe disa nene në Ligjin për ndryshim/plotësim të Ligjit të KPMSHCK-së.

Në harmoni me Kushtetutën e vendit, kjo Gjykatë vlerësoi se është Ligji për pagën minimale, Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të cilat ishin kontestuar nga Gjykata Supreme që kanë të bëjnë me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në kontekst paraburgimi.

Vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe pezullimi i Rregullores së BQK-së ishte kërkuar nga kjo Gjykatë. Por, kërkesa është shpallur e papranueshme dhe pezullimi është refuzuar meqë kërkesa nuk i plotësonte standardet që kërkohen sipas legjislacionit.

Vendimi i Kushtetueses për Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Gjykata Kushtetuese, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e ka vlerësuar se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi.

Kjo Gjykatë ka konstatuar se pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 ku parashihet “fushëveprimi” në lidhje  me paragrafin 2 të nenit 34  ku parashihet “Shqyrtimi në shkallën e parë” është në kundërshtim me nenet kushtetuese.

Tutje, kjo Gjykatë ka gjetur se edhe pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 ku parashihet “fushëveprimi” lidhje me paragrafin 3 të nenit 22  ku parashihet “Periudha e verifikimit të pasurisë” gjithashtu është në kundërshtim me nenet kushtetuese.

Këtë konstatim kjo Gjykatë i ka bërë me 8 vota pro dhe 1 kundër.

Konstatim tjetër si shkelje kushtetuese e ka gjetur edhe  pikën 1.1 të  paragrafit 1 të nenit 10  ku parashihet “Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi”. Ky konstatim është bërë me 6 vota pro dhe 3 kundër.

Shkelje kushtetuese e ka gjetur edhe pikën 1.2 të të njëjtit paragraf dhe nen me konstatimin se është shkelje e nenit me të cilën rregullohet “Auditori i Përgjithshëm i Kosovës” dhe “Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës”.  Këtë shkelje e ka konstatuar me 8 vota pro dhe 1 kundër.

Shkelja e radhës që Kushtetuesja ka gjetur në këtë ligj ka të bëjë me pikën 1.4 të paragrafit 1 të nenit 10 ku parashihet “Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi”, të cilën e ka vlerësuar se është në kundërshtim me nenet “Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit” dhe “Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit”.

Si përfundim, kjo Gjykatë me 5 vota pro dhe 4 kundër, këtë ligj e ka shpallur të pavlefshëm.

Lidhur me vendimin e Kushtetueses kishte reaguar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, duke thënë se “vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër”.

Është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ajo që e kishte dërguar këtë ligj në Kushtetuese, për vlerësim të kushtetutshmërisë, më 21.02.2023, ndërsa ishte miratuar në Kuvend më 09.02.2023 me 66 vota.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim mund ta gjeni KËTU.

Vendimi i Kushtetueses për shkarkimin e Kimete Gashit nga Bordi i OSHP-së

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar se shkarkimi i Kimete Gashit nga Kuvendi i Kosovës, si anëtare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ishte kundërkushtetues.

Kjo gjykatë, ka konstatuar se Vendimi për shkarkimin e saj është në mospërputhje me nenet kushtetuese që rregullojnë “kompetencat e Kuvendit” dhe “agjencitë e pavarura” të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kimete Gashi ishte shkarkuar nga kjo pozitë më 13.07.2023 nga Kuvendi i Kosovës me 58 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.

Qeveria e Kosovës i kishte propozuar shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina më 10 maj 2023.

Me 8 vota për dhe 1 kundër, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se nuk është dhënë arsyetim që Kimete Gashi e ka cenuar etikën profesionale, ashtu siç kërkohet sipas legjislacionit të Ligjit për Prokurimit publik si bazë për inicim të shkarkimit.

“Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, përjashtimisht, është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, bazë mbi të cilën ka rezultuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së në rrethanat e rastit konkret… Megjithatë, bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të “etikës profesionale” të anëtares së OSHP-së, bazë kjo mbi të cilën ishte bërë propozimi dhe shkarkimi i saj”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesit e kërkesës për vlerësueshmëri të kushtetutshmërisë së këtij vendimi kishin kundërshtuar mbi bazën e mungesës së mbështetjes ligjore të vendimit; se i njëjti ishte në kundërshtim me kompetencat mbikëqyrëse të Kuvendit; se kishte cenim të pavarësisë funksionale të OSHP-së; ndërhyrje në kompetencën e pushtetit gjyqësor për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimmarrjes së OSHP-së; dhe cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të anëtares së shkarkuar të OSHP-së.

Këto pretendime, sipas njoftimit të Gjykatës janë kundërshtuar nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së.

Për shkarkimin e Gashit kishte reaguar edhe organizata e shoqërisë civile, Organizata ‘Demokraci Plus’ (D+).

Ata më datë 22.11.2023 kishin publikuar një analizë bashkë me rekomandime në lidhje me procedurat e shkarkimit të anëtarëve të agjencive të pavarura.

“Procedura e shkarkimit të anëtares së OShP-së është e pazakontë ngase as Ligji Sektorial (LPP) e as ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP) nuk parashohin një procedure të tillë”- kishte thënë Dardan Gashi nga D+.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim mund ta gjeni KËTU.

Vendimi i Kushtetueses për Ligjin për Pagën Minimale

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ky Ligj nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo Gjykatë ka theksuar se ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenet “barazia para ligjit”, “mbrojtja e pronës”, apo “mbrojtja shëndetësore dhe sociale” të Kushtetutës.

Vlerësimin e kushtetutshmërisë për këtë ligj e kishte kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me pretendimin se ky ligj i diskriminon kategoritë e sipërpërmendura.

Ky ligj ishte dërguar në Kushtetuese më 21.07.2023, ndërsa ishte miratuar në Kuvend më 13.07.2023 me 60 vota për dhe një abstenim.

Lidhur me vendimin e kushtetueses, kishte reaguar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) Faton Klinaku në rrjetin social “Facebook”, duke paralajmëruar protestë.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim mund ta gjeni KËTU.

 

Vendimi i Kushtetueses për Rregulloren e BQK-së për Operacionet me Para të Gatshme

Kërkesa për vlerësueshmërinë e kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, e cila ndër të tjera parasheh që monedha e vetme e ligjshme për pagesa në Kosovë është euro, është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Vlerësimin e kushtetutshmërisë  dhe pezullimin e zbatimit të kësaj Rregulloreje e kishte kërkuar Vasilije Arsiq.

Gjykata Kushtetuese e kishte refuzuar kërkesën e tij mbi bazën e faktit se Arsiq nuk i kishte shterur mjetet juridike të cilat parashihen sipas legjislacionit – në këtë rast gjykatat e rregullta.

Arsiq e kishte kontestuar kushtetutshmërinë e kësaj Rregulloreje, me pretendimin se e njëjta ka shkelje të të drejtave kushtetuese siç janë “Vlerat”, “Valuta”, “Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare”, “Dinjiteti i Njeriut”, “Barazia para Ligjit”, “E Drejta për Jetën”, “Mbrojtja e Pronës”, “E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit”, “Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale”, “Parimet e Përgjithshme”, “Përgjegjësitë e Shtetit” dhe “Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre”.

Përveç shkeljeve kushtetuese të pretenduara, Arsiq në kërkesën e tij kishte pretenduar se neni 35 “Valuta euro” është diskriminues në mënyrë indirekte ndaj komunitetit serb në Kosovë.

“Në thelb, duke theksuar që neni 35 (Valuta euro) i Rregullores së Bankës Qendrore, është në mënyrë të tërthortë diskriminues ndaj komunitetit serb në Republikën e Kosovës, ndër tjerash, “pasi që në radhë të parë prek komunitetin serb në Kosovë […] edhe pse vetë rregullorja nuk përmban shprehimisht dispozita diskriminuese, fakti që zbatimi i saj është diskriminues tregon diskriminim indirekt”- përshkruhet në njoftimin e Kushtetueses.

Sipas Kushtetueses, janë gjykatat e rregullta ato që e kanë kompetencën parësore për të shqyrtuar pretendimet për cenime të drejtave dhe lirive themelore.

“Përtej detyrimit të individit për të shteruar mjetet juridike në dispozicion, gjithashtu saktëson kufizimet në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në raport me gjykatat e rregullta, dhe të cilat, bazuar në parimin e subsidiaritetit, kanë kompetencën parësore për të shqyrtuar pretendimet e individëve për cenimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore”- përshkruhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 25.06.2024.

Kjo Gjykatë me rastin e refuzimit të kërkesës në fjalë, ka theksuar se “individi duhet të argumentojë që: nuk ekziston mjeti juridik; ose që ka ndërmarrë të gjitha masat për të shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj, por që mjeti përkatës juridik nuk është efektiv, në dispozicion dhe/ose i qasshëm”.

Në rastin konkret, kjo Gjykatë ka përshkruar se parashtruesi i kërkesës ka theksuar se nuk ka mjet juridik në dispozicion për të kontestuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Rregullores së lartcekur.

Në anën tjetër, Kushtetuesja ka konstatuar se Rregullorja e kontestuar e Bankës Qendrore, i nënshtrohet kontrollit administrativ nga gjykatat e rregullta dhe që këto të fundit, kanë juridiksion të plotë që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve të tilla.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” kishte thënë se motivet kryesore për vendimin që lidhet me ndalimin e dinarit serb si mjet pagese në Kosovë është lufta kundër pastrimit të parasë, kundër terrorizmit dhe forcimi i integritetit të sistemit financiar.

Guvernatori kishte thënë se kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.

Kjo Rregullore e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, kishte ngjallur reagime të shumta nga niveli vendor – institucional e deri tek ai ndërkombëtar.

Banka Qendrore e Kosovës kishte lëshuar në funksion linjën telefonike pa pagesë – 0800 222-55, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese pas miratimit të rregullores për operacionet me para të gatshme

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht, kishte bërë të ditur BQK-ja.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim mund ta gjeni KËTU.

 

Vendimi i Kushtetueses për dispozitat e Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në kontekst të paraburgimit

Gjykata Supreme e Kosovës i kishte kontestuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, gjegjësisht paragrafin 2 të nenit 4 “Ne Bis In Idem”, paragrafin 4 të nenit 432 “Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë” dhe paragrafin 2 të nenit 438 “Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë”.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se dispozitat e kontestuara nga Gjykata Supreme nuk përbëjnë shkelje kushtetuese.

Neni 438, gjegjësisht paragrafi 2 i kontestuar ka të bëjë me mundësinë që ka Gjykata Supreme si autoritet kompetent që çështjen ta kthejë në rigjykim në rastet kur kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë paraqitet në dëm të të pandehurit.

“Kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”.

Me 5 vota për dhe 4 kundër, kjo Gjykatë ka vlerësuar se formulimi “përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”  nuk është në kundërshtim as me të drejtën kushtetuese për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër dhe as në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Tutje, neni 432 që përcakton arsyet për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë tek paragrafi 4 parasheh që kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë mund të paraqitet kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin, vazhdimin ose ndërprerjen e paraburgimit.

Gjykata Kushtetuese njëzëri ka konstatuar për këtë se formulimi i kontestuar “ose ndërprerjen” e paraburgimit nuk përbën shkelje të së drejtës kushtetuese “e drejta e lirisë dhe sigurisë” që rregullohet në nenin 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Tutje, paragrafi i 2-të i nenit të 4 me të cilën parashihet ‘Ne Bis In Idem’, përcakton se vendimi gjyqësor i formës së prerë mund të ndryshohet me mjete të jashtëzakonshme juridike.

Edhe për këtë, Gjykata kushtetuese njëzëri ka vendosur se kjo dispozitë nuk është në kundërshtim as me të drejtën kushtetuese të nenit 34 “E drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër” e as me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me të cilën përcaktohet e drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim mund ta gjeni KËTU.

 

Vendimi i Kushtetueses për Ligjin nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK)

Gjykata Kushtetuese i ka gjetur si kundër-kushtetues 7 nene të Ligjit për ndryshim/plotësim të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe të njëjtat i ka shpallur të pavlefshme.

Kjo Gjykatë njëzëri ka vendosur që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar janë në kundërshtim me nenet kushtetuese “Barazia para Ligjit”, “E Drejta për Mjete Juridike” në ndërlidhje me nenin “Shërbimi Civil”.

Edhe nenin 6 të këtij ligji të kontestuar, gjykata e ka konstatuar si në kundërshtim me Kushtetutën, gjegjësisht nenin për shërbimin civil. Këtë konstatim, gjykata e ka bërë me 7 vota për dhe 2 kundër.

Për nenet 9, 10, 11 të këtij ligji, njëzëri u vendos se nuk janë në përputhje me nenin kushtetues “E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm.

Nenet e lartpërmendura të vlerësuara si kundërkushtetuese, Gjykata i ka shpallur të pavlefshme, dhe kjo gjykatë njëzëri ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes për Dekretim pa nenet në fjalë dhe sipas modaliteteve të dhëna në aktgjykimin e Kushtetueses.

Deputetët parashtrues të opozitës e kishin kundërshtuar këtë ligj nga ana formale për procedurën e ndjekur për miratimin e tij, gjithashtu edhe përmbajtjen e tij.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj ka theksuar se Kushtetuta i përcakton kompetencën Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për të siguruar respektimin e rregullave dhe parimeve që vlen për të gjitha kategoritë, kurse Ligji i kontestuar e përjashton kompetencën vendimmarrëse të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës pikërisht vetëm lidhur me vendimet e Qeverisë.

“Dallimet e përcaktuara në Ligjin e kontestuar në kontekst të barazisë së qasjes në mjet juridik, përkatësisht qasjes në vlerësimin dhe vendimmarrjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, rezultojnë në “dallim në trajtim”, dhe i cili, përderisa është “i përcaktuar me ligj” dhe mund të ndjekë një “qëllim legjitim”, nuk është “proporcional” me qëllimin e ndjekur, ndër tjerash, sepse përkundër kompetencës kushtetuese të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për të siguruar respektimin e rregullave të shërbimit civil, dhe për dallim nga të gjitha ligjet tjera të aplikueshme, përfshirë Ligjin për Zyrtarët Publik, përjashton nga mbikëqyrja e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës vetëm kategorinë e lartcekur dhe atë vetëm në raport me vendimmarrjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e gjykatës.

Përveç kësaj, kjo Gjykatë ka gjetur se nenet të cilat tashmë janë shpallur të pavlefshme përcaktojnë se vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk kanë statusin si të “ekzekutueshme”.

Kushtetuesja ka konstatuar se zhveshja e vendimeve të Këshillit nga statusi i vendimeve të “ekzekutueshme”, për aq sa vet gjykatat nuk e kanë ndaluar ekzekutimin e tyre sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme, cenon efektivitetin e kompetencës kushtetuese të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim mund ta gjeni KËTU.

Shënim: Njoftimet e Gjykatës Kushtetuese për këto raste janë përgatitur nga Gjykata Kushtetuese vetëm për çështje informative kurse tekstet e plota do t’u dorëzohen palëve të përfshira në rast si dhe do të publikohen në ueb-faqe pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës.