AAK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për pagën minimale

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pagën minimale.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së tha se i janë drejtuar Kushtetueses për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

“I kemi adresuar tri çështje kryesore, e para Këshilli Ekonomik Social nuk është konsultuar asnjëherë për pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante të Qeverisë së Kosovës. E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut. Dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rast ky që është eklatant e jo vetëm që është shkelje por lidhet drejtpërdrejt që kjo kategori i përfaqëson” – shtoi Tahiri.

Ai shton se ligji i pagës minimale nuk do ketë efekt në terren pasi që në sektorin privat nuk ka pagë nën 260 euro.

Ai cilësoi se ky ligj ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe kategoritë e dalura nga lufta e UÇK-së.

“Presim nga Kushtetuesja që ta vlerësojë dhe jemi të bindur që ky rast do t’i thejë dy padrejtësi. Padrejtësia e parë lidhet me mashtrimin flagrant të shumës së pagës minimale, të na tregojë se kush e ka pagën 260 euro, pra ky ligj nuk ka asnjë impakt në terren sepse sot nuk ka asnjë pagë nën 260 euro në sektorin privat. E dyta lidhet me dinjitetin e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe për kategoritë e cenueshme siç janë të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët” – shtoi ai.

Ligji i pagës minimale u miratua javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës ku 60 deputetë votuan pro një abstenim dhe asnjë votë kundër.

 

Miratohet Ligji për pagën minimale