VV-ja kundërshton Planin zhvillimor komunal të Prishtinës, Ramën e quan "turpi i qytetit"
Partia më e madhe opozitare në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar sërish kundër Planit Zhvillimor Komunal të kryeqytetit [2023-2031], i cili është si pikë të rendit të ditës në seancën e sotme (04.07.2024).
Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të VV-së, ka thënë se këtë plan e ka kundërshtuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me gjithsej 28 arsyetime.
“Për pak muaj do të hyjmë në vitin e fundit të qeverisjes së fundit të Përparim Ramës, e kjo qeverisje e ka pas gjithë kohën me përgatit një plan të mirëfilltë, mirëpo kjo nuk ka ndodhë sepse janë marrë me kontrata të dyshimta. Kjo është qeverisje e shantazhit dhe bizneseve të fshehta. Duhet me ua bë me dije LDK-së, se çdo gjë bëhet me pare, siç tha kryetari mbrëmë. Qytetarët nuk ia kanë borxh një plan kundërligjor” – ka thënë Sveçla në një konferencë për media para objektit të Komunës më 04.07.2024.
Ndërsa, asamblistja e LVV-së, Nora Kelmendi, tha se me dërgimin e këtij plani, po fyhen këshilltarët komunalë.
“Plani i dërguar te ne është i mangët si dokumentacion, pra mungon analiza dhe krahasimi. Draftraporti i planifikimit strategjik është i vitit 2021 dhe nuk është përditësuar fare. Po i fyen këshilltarët komunalë duke na sjell plane të vjetra. Pjesëmarrja në takime me qytetarët ka qenë minimale sepse më shumë ka pasur kabinet të kryetarit sesa qytetarë. Këtë plan, iu bëjmë thirrje subjekteve të tjera të mos e mbështesin. Mos lejoni të përsëritet Badovci. Ky kryetar është turpi i qytetit” – tha Kelmendi.
Kuvendi Komunal i Prishtinës po mbanë seancë të jashtëzakonshme në të cilën në rend të ditës është edhe Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës 2023-2031. Nga salla e seancës, në formë kundërshtie, u larguan asamblistët e partive opozitare, LVV dhe PDK.