Mbledhja e komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së, 07.04.2024. Foto; KALLXO.com.
'Përplasje' në Komisionin hetimor për reformat në MPJD, deputetet e pushtetit lëshuan mbledhjen
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Jeta Statovci nga koalicioni me Listën Guxo, e braktisën mbledhjen e Komisionit hetimor parlamentar, pas përplasjes me fjalë mes tyre dhe deputetëve të opozitës në lidhje me reformat në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Pas fjalive “Ti je abuzuese”, “Këto janë muhabete grash, grash të ulëta”, e para e thënë nga nga kryetarja e Komisionit, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj drejtuar deputetes Pacolli, e tjetra nga deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, dy të parat u larguan nga salla ku po mbahej mbledhja lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së.
Tema e reformave të MPJD-së, punës dhe mospunës së bërë nga qeveritë ndër vite, u bënë shkas për këtë situatë në komisionin në të cilin po zvarritet puna që katër muaj që nga themelimi i tij. Që nga takimi i parë, mbledhjet kanë kaluar më shumë me përplasje mes pozitës dhe opozitës. Paralelisht, ende nuk janë siguruar të gjitha dokumentacionet me të cilat do të punohet, dhe se tek nesër më datë 04.07.2024 është përcaktuar të fillojë intervistimi i dëshmitarit të parë, ish-sekretarit të ministrisë, Behar Isma.
Kryetarja e komisionit në fjalë, Time Kadrijaj fajësoi MPJD-në për mos qasje në dokumentacionin e kërkuar, e që si pasojë e pengon edhe procesin. Ngase në mungesë të dokumentacionit, sipas saj, as ekspertët e aranzhuar nuk munden të përpilojnë lista përfundimtare të dëshmitarëve e as vetë deputetët.
Se mungesa e dokumentacionit nuk paraqet problem për të vijuar me punën, nuk u pajtuan deputetet Pacolli dhe Statovci. Në diskutim e tutje, deputetja Pacolli tha që duhet të analizohen mirë për t’u thirrur dëshmitarë nga sindikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sipas saj, disa nga sindikalistët janë të prekur nga reforma e MPJD-së.
“Nëse i dëgjojmë ankesat e Sindikatës së MPJD, reformat i kanë prekur vet personat e sindikatës”- tha Pacolli, pasiqë njëri nga ekspertët, Gëzim Kolgeci, përmendi mundësinë e intevistimit të tyre.
Ekspertët e përzgjedhur mes shumë polemikave përgjatë tri mbledhjeve me radhë janë Gëzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkelqim Jakupi, të cilët do të bëjnë shqyrtimin dhe analizimin e materialit, listat e dëshmitarëve dhe hartimin e ekspertizës, por jo vetëm.
“Kemi pas dilema nëse duhet të thërrasim edhe kategori tjera, sindikata e të tjera”- tha paraprakisht Kolgeci. Propozimet e ekspertëve nuk janë përfundimtare. Edhe deputetët duhet të bëjnë propozimet e tyre.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi theksoi që problematika kryesore është që nuk po arrijnë të marrin dokumentet nga MPJD, e si pasojë është problem të caktohen edhe listat e dëshmitarëve.
“Ka mungesë të punës. Vlerësoj që duhet t’i kemi të gjitha dëshmitë që na interesojnë”- tha ajo.
Time Kadrijaj tha që ekspertët listën e kanë bërë në bëzë të materialit që e posedojnë deri më tani. Sipas saj, dhe e-maileve të siguruara nga stafi i Komisionit, që nga mbledhja e fundit më 24.06.2024, edhe dy herë tjera është kërkuar nga MPJD-ja që të ofrohen materialet.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se duhet t’i dërgohen MPJD-së, kërkesat e afatizuara në mënyrë që mos të zvarritet më shumë kjo çështje.
Në këtë momentum nisi përplasja mes deputetëve, pasi që deputetja Pacolli, nisi të shpjegojë për reformat e MPJD-së, por deputetët e opozitës këmbëngulnin që të flitet vetëm për temën që është në rend të ditës.
“Me ardhjen e Qeverisë Kurti ka nisur të respektohet ligji. Ju PDK-ja nuk e keni respektuar Ligjin për shërbimin e jashtëm. Te kishe përcjell punën e ministrisë e kishe pa si unë” tha Pacolli.
Deputeti Berisha iu drejtua që përfushtë elektorale e le të flitet nëpër koridore jo në mbledhje të komisionit,
“Se qe 20 vjet eskimezët kenë këtu a? Ma se kjo është shumë e ulët e miskine”- tha ai.
Pasi që deputetja Pacolli iu drejtua kryetares së Komisonit që “puna jote nuk është me më kallxu mu çka me folë, po me udhëheqë procesin, pikë”,mbledhja mori kahje tjetër.
“Fitore mos abuzo! Se ti Fitore, ti je gjithë abuzuese. Don me qitë prej teme prej konteksti gjithçka”- i tha Kadrijaj më pas.
Ndërkaq, Berisha i tha se “këto janë muhabete grash, grave të ulëta. Me u kapë nëpër bishta”, pasi që Pacolli i tha se opozita nuk kanë bërë asgjë në diplomaci.
“Ti po don me ngrit zanin me u kallzx burrë a po?”, i tha Pacolli – Hisenit.
Që nga fillimi i këtij komisioni, mbledhjet kanë vijuar me grindje të njëjta. Tri herë iu dashtë të mblidhen për të përzgjedhur ekspertët e pavarur.
Votimi ndodhi përkundër pakënaqësive, pasiqë opozita kërkonte që të votohen vetëm dy, ndërsa pozita kërkonte “edhe një mendim të tretë”. Vota kundër ishte nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi, ndërsa votat pro nga ishin nga Fitore Pacolli (LVV), Arbëresha Hyseni-Kryeziu (LVV), Jeta Statovci (Guxo-LVV), Haxhi Avdyli (Guxo-LVV), Time Kadrijaj (AAK), Erxhan Galushi (Grupi Multietnik).
Për këtë komision, deputetja Musliu-Shoshi ka kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.
Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.
Ndër tjera, ajo kërkoi procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e Behar Ismës që ka qenë sekretar në MPJD, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.