Kush ka blerë rrymë me paratë e Qeverisë?

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka treguar se si është shpenzuar subvencioni i Qeverisë së Kosovës për blerjen e energjisë elektrike në muajin dhjetor, kur Kosova u përball me reduktime.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Krasniqi tha se Qeveria ka ndarë një subvencion prej 20 milionë euro, që i kanë shkuar KEK-ut.

“Qeveria ka nda një subvencion, në fillim prej 20 milionë për import, pasi që KESCO ka dështu. Ato mjete i janë ndarë KEK, i cili në fillim ka bërë import vetë, që ja ka faturu KESCO, me çmim 90 euro aq sa e ka pasur KESCO në tarifa. KEK-u e ka blerë mesatarisht deri në 250 euro, diferenca është mbuluar nga subvencioni”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se KESCO ka për detyrë furnizimin, KEK-u prodhimin, KOSTT transmisionin dhe KEDS-i shpërndarjen e rrymës.

“Rolet janë të ndara. Deri në dhjetor KESCO ka vazhdu importin, për shkak se konsumi kombëtar ka qenë mbi kapacitet prodhuese që i ka vendi. Thjesht është mungesë e energjisë. Në mungesë të likuiditetit, KESCO nuk e ka bo nominimin e energjisë dhe ka filluar të ketë reduktime. Rrejti energjetik i Kosovës ka bërë tërheqje të paautorizuar të energjisë në sistemin e vet, kjo pjesë pastaj i është faturu KEDS-it, për pjesën e devijimit”, tha Krasniqi.

Krasniqi bëri të ditur se në fillim energjia është blerë nga KEK-u, por më pas KESCO ka vazhduar blerjen e energjisë, nën mbikëqyrjen e KEK-ut.

“Në fillim e kemi blerë ne direkt nga tregtarët e licencuar. Pasi e kemi ble, është faturu KESCO-s. Pas një kohe ka vazhdu ta bëjë KESCO, nën organizimin tonë, me çmim pak a shumë sikur ne”, tha Krasniqi.